Muhaxheri: Kushtetuesja “ngrin” Presidenten dhe Kuvendin, fati i zgjedhjeve në duart e gjykatësve
Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme që pezullon çdo veprim të mëtejshëm nga ana e Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës deri më 31 mars.
Ky vendim vjen si pasojë e përplasjes institucionale lidhur me shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës për zgjedhjet e parakohshme.
Masa e vendosur nga Gjykata i bllokon efektivisht të dyja palët. Nga njëra anë, Presidenca nuk mund të ndërmarrë asnjë hap për shpalljen e datës së zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, Kuvendit i ndalohet të mblidhet për të diskutuar çfarëdo teme, jo vetëm atë të zgjedhjeve, duke e lënë vendin në një ngërç institucional deri në një vendim final.
Për të folur më tepër në lidhje me këtë temë, nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte analisti Arton Muhaxheri.
"Në fakt masa e përkohshme që e ka marrë Gjykata Kushtetuese, është një masë e cila i bllokon të dyja palët në mosveprim të më tutjeshëm, deri deri në 31 mars.
As presidenca nuk ka të drejtë të marrë ndonjë veprim për shpalljen e datës së zgjedhjeve, diçka të tillë tjetër në lidhje me rastin, por as Kuvendi nuk ka të drejtë të të mblidhet për çfarëdo teme tashmë, jo vetëm për zgjedhje, sepse është kjo masë e përkohshme që i kufizon në veprim të dyja palët.
Dhe kjo është një masë ëh që zakonisht Gjykata Kushtetuese i merr për të mos krijuar perceptim publik që dikujt po i jep të drejtë dhe dikujt nuk po i jep të drejtë.
Unë mendoj që është vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, por tashmë ata e kanë lëndën në dorë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese dhe do ta vlerësojnë nëse ka të drejtë ëh Kuvendi i Republikës së Kosovës ose Lëvizja Vetëvendosje me ankesën që ka bërë apo dekreti i Presidentes së Republikës së Kosovës që e shpërndau Kuvendin para dy ditësh", u shpreh Muhaxheri.
Ndiqni intervistën e plotë:
