“Osmani pa krah politik”/ Muhaj: Në Kosovë po vendosin numrat, jo aleancat

Studiuesi Ardian Muhaj, i ftuar në emisionin “Ora e Betit”, foli për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për pozicionin e presidentes Vjosa Osmani në raport me forcat politike në vend. Sipas tij, situata aktuale nuk duhet parë si krizë politike, por si një periudhë tensioni ku po përcaktohen balancat reale të pushtetit.

Muhaj e përshkroi këtë fazë si një moment kur politika po kalon nga aleancat dhe perceptimet drejt logjikës së numrave në parlament.

“Nuk duhet t’i ngatërrojmë zhvillimet politike me krizën politike. Çdo shtet ka problemet e veta dhe kjo është një periudhë më intensive, por ende brenda normalitetit politik. Situata po shkon drejt matematikës, drejt numrave që përcaktojnë balancat.”- tha ai.

Ai u ndal edhe te pozicioni i presidentes Osmani në skenën politike të Kosovës, duke thënë se mungesa e një mbështetjeje të qartë politike e bën atë më të ekspozuar në përballjen aktuale.

“Presidentja Osmani ka një problem themelor, nuk ka një spirancë në hapësirën politike të Kosovës. Nuk është as pjesë e opozitës dhe as e pozitës, prandaj sot është praktikisht e vetme në këtë skenë. Kjo dobësi është shfrytëzuar nga ata që kanë numrat.”- shtoi ai.

Sipas Muhajt, politika funksionon shpesh sipas logjikës së numrave dhe aleancave të momentit, dhe zhvillimet aktuale në Kosovë po tregojnë pikërisht këtë realitet.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":