"Duhet të fokusohemi te spastrimi i sistemit"/ Beqiri: Kemi harruar funksionimin dhe pasurimin e tij me elementë cilësorë

Reforma në drejtësi dhe efektet e saj në funksionimin e sistemit gjyqësor ishin në fokus të diskutimit në emisionin “Drejt”, ku i ftuar ishte avokati Evarist Beqiri.

Sipas tij, reforma u përqendrua më shumë te largimi i njerëzve nga sistemi, ndërsa u la në plan të dytë funksionimi dhe përmirësimi i tij me profesionistë cilësorë.

“Duke u fokusuar më shumë se ç’duhet te spastrimi i sistemit, harruam funksionimin dhe pasurimin e tij me elementë cilësorë. Çdo reformë që nuk vendos në qendër elementin njeri, formimin e profesionistit të ardhshëm, është e destinuar të dështojë.”- tha Beqiri. 

Beqiri u ndal edhe te institucionet e reja të krijuara nga reforma, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke ngritur pikëpyetje mbi ndryshimin real të sistemit.

Në diskutim u përmend edhe roli i brezit të ri të magjistratëve që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, për të cilët Beqiri ngriti dyshime nëse do të arrijnë të sjellin një standard më të lartë në drejtësi.

“A kemi sot një drejtësi më të mirë se ajo që kishim dje? A janë magjistratët më të përgatitur dhe më të ndershëm se ata që u larguan nga sistemi? Ky është problemi kryesor që duhet diskutuar.”-shtoi avokati.

Ai ngriti edhe një shqetësim tjetër që lidhet me besueshmërinë e reformës, duke përmendur rastet kur persona të larguar nga sistemi i drejtësisë gjatë procesit të vetingut shfaqen më pas në jetën akademike si pedagogë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT":