Delegacioni i Bundestagut gjerman viziton stendën shqiptare në ITB Berlin 2026

Një delegacion i Komitetit të Turizmit të Bundestagut gjerman vizitoi stendën e Shqipërisë në panairin e turizmit ITB Berlin 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për vizitën e delegacionit.

“Delegacioni i Komitetit të Turizmit të Bundestagut Gjerman, me në krye Kryetaren e Komitetit, Anja Karliczek, së bashku me njëmbëdhjetë deputetë nga fraksione të ndryshme politike të Bundestagut, iu përgjigj ftesës sonë për të vizituar stendën e Shqipërisë në ITB Berlin 2026”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Gonxhja u shpreh se, delegacioni pati mundësinë të shijojë një copëz Shqipërie.

“Fatkeqësisht nuk arritëm të takoheshim personalisht, pasi në atë moment ishim nisur drejt Shqipërisë, megjithatë, delegacioni u mirëprit në stendën shqiptare nga përfaqësuesit tanë dhe pati mundësinë të shijojë një copëz Shqipërie”, theksoi Gonxhja.

Ministri u shpreh mirënjohës për dialogun dhe bashkëpunimin me partnerët gjermanë të GIZ, si dhe me anëtarët e Bundestagut, për mbështetjen në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ndarjen e përvojave të suksesshme në këtë fushë.