NDESHJA PARTIZANI-Elbasani/ Pano:Guerrilsat kishin potencial, rrezikuan Elbasanin por nuk erdhi asnjë gol

Ish-trajneri dhe ish-futbollisti Ledio Pano ishte i ftuar në studion e Sport Focus, ku analizoi përballjen mes Partizani Tirana dhe KF Elbasani.

Në fillim të analizës, Pano u ndal te përgjegjësia që kishte Partizani për ta fituar këtë ndeshje, duke parë objektivat dhe potencialin e skuadrës. Ai pranoi se priste një rezultat tjetër.

“Pa diskutim që prisja që Partizani të kalonte, sepse e kishte potencialin. Por menaxhimi jo i mirë në momente të veçanta, në ndryshime lojtarësh apo në vendosje në fushë, bëri që Partizani të kishte oscilacionet e veta, sidomos në pjesën e dytë.”- tha ai.

Sipas tij, pjesa e parë tregoi një tjetër fytyrë të skuadrës kryeqytetase, me raste të pastra dhe kontroll loje, edhe pse mungoi finalizimi.

“Pjesa e parë ishte një Partizan me potencial, që e rrezikoi Elbasanin. Rastet ishin shumë më të pastra për Partizanin, edhe pse nuk erdhi goli.”- shtoi ish-trajneri.

Nga ana tjetër, Pano vlerësoi edhe paraqitjen e Elbasanit, duke kujtuar se skuadra ka treguar gjatë sezonit se është pretendente serioze, çka reflektohet edhe në pozicionin e saj në renditje.

Sipas tij, përballja nxori në pah dobësi në menaxhimin e lojës nga ana e Partizanit, veçanërisht pas pushimit.