Kupa e Italisë/ Hysaj-Gjimshiti, derbi kuqezi nga stoli, barazim dramatik mes Lazios dhe Atalantës
Një sfidë plot emocione në “Olimpico”, ku Lazio dhe Atalanta barazuan 2-2 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Dueli kishte edhe një element shqiptar, pasi Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti ishin kundërshtarë, por të dy e ndoqën takimin nga stolat respektivë.
Lazio e nisi më mirë dhe kaloi në avantazh menjëherë pas pushimit. Daniel Maldini shërbeu për Fisayo Dele-Bashiru brenda zonës, ndërsa mesfushori vuri re portierin Marco Carnesecchi të pozicionuar keq dhe realizoi me një parabolë elegante për 1-0.
Atalanta reagoi dhe gjeti barazimin në mesin e pjesës së dytë. Një goditje e Lazar Samardzic u kthye nga portieri, ndërsa Mario Pasalic përfitoi nga topi i mbetur në zonë për ta dërguar në rrjetë, duke vendosur rezultatin 1-1.
Kur dukej se sfida po shkonte drejt fundit me barazim, Lazio goditi sërish. Pas një topi të lirë në zonë, Boulaye Dia reagoi më shpejt se të gjithë dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë shënoi për 2-1.
Megjithatë, drama nuk kishte mbaruar. Në minutat shtesë, Kamaldeen Sulemana shërbeu për Yunus Musah, i cili goditi menjëherë dhe dërgoi topin në mes të portës për 2-2, duke i dhënë Atalantës një barazim të çmuar në frymën e fundit.
Një përballje e luftuar deri në sekondën e fundit, që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.

