Newcastle me 10 lojtarë i shkakton humbjen e parë United të Carrick

Një përballje plot emocione karakterizoi sfidën e javës së 29-të në Premier League, ku Newcastle United triumfoi 2-1 ndaj Manchester United në “St James’ Park”.

Takimi mori një rrjedhë të fortë dramatike në fundin e pjesës së parë.

Newcastle mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Jacob Ramsey në minutën 45+2, por vendasit reaguan menjëherë.

Në minutën 45+5, Anthony Gordon shndërroi saktë një penallti, duke kaluar ekipin e tij në avantazh.

Reagimi i “Djajve të Kuq” erdhi në minutën 45+9. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Bruno Fernandes, Casemiro u shkëput në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë barazoi shifrat, duke rikthyer ekuilibrin para pushimit.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, Newcastle goditi në minutën e 90-të.

Një kundërsulm i shpejtë përfundoi me topin në këmbët e William Osula në krahun e djathtë.

Sulmuesi hyri në zonë dhe lëshoi një goditje të fuqishme, duke mposhtur portierin e United dhe duke ndezur festën në shkallët e stadiumit.

Pas kësaj humbjeje, Manchester United mbetet në vendin e tretë me 51 pikë, ndërsa Newcastle ngjitet në kuotën e 39 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 12-të në renditje.