Berisha reagon për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Tomor Dostit: “Nderim për jetën dhe kontributin e tij të çmuar”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjete sociale pas ndarjes nga jeta të Tomor Dostit, duke e përkujtuar me nderim dhe mirënjohje për kontributin e tij në kauzën demokratike.

Shkrimi i plotë:

Nderim për Tomor Dostin.

Të dashur miq, Tomor Dosti mbylli sytë përgjithmonë. Pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara të Shqipërisë, bir i Hasan Dostit, intelektualit dhe atdhetarit të shquar, Kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Mukjes dhe drejtues kryesor i Ballit Kombëtar.

Tomor Dosti që nga fëmijëria e tij përjetoi kalvarin e egër të luftës së klasave, përsekutimin, burgosjen dhe internimin në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste.

Tomori mbështeti që në fillim përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e pluralizmit. Pas themelimit të Partisë Demokratike ai është zgjedhur përfaqësues deputet i saj në Parlamentin e Shqipërisë.

Në vitet 1992-1996 Tomor Dosti është zgjedhur në postet drejtuese të Nënkryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike.

Duke shprehur nderimin tim më të madh për kontributin e tij të çmuar dhe mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve të tij dhe lutem së bashku me ta që shpirti i mirë i Tomor Dostit të gjejë paqen e merituar. Amin!