7 ndryshime në kabinetin qeveritar/ Begaj dekreton ministrat e rinj, liron nga detyra e ambasadorit Ferit Hoxhën, do zëvëndësoj Spiropalin

Pas emërimit të Kryeministrit, këtë të mërkurë Presidenti Bajram Begaj, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot ministrat e rinj, si dhe i përcolli dekretet Kuvendit të Shqipërisë për kompetencë.

Procedura për emërimin e ministrave të rinj do të përmbyllet në përputhje me Kushtetutën në ditët në vijim, me betimin e ministrave, pasi Kuvendi të miratojë programin dhe përbërjen e Qeverisë. Ceremonia e betimit do të zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Presidenti Bajram Begaj ka liruar nga detyra e ambasadorit, Ferit Hoxhën, duke i hapur kështu rrugë dekretimit si Ministër i Jashtëm.

Në njoftimin nga Presidenca thuhet “Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin e z. Ferit Hoxha nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident”.

Hoxha do të zëvendësojë në këtë post Elisa Spiropalin.

Kush është Ferit Hoxha?

Ferit Hoxha u bashkua me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka qenë aktiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare që atëherë. Nga viti 1991 deri në vitin 1995, ai mbuloi marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1995, shërbeu si Këshilltar në Misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork.

Nga viti 1996 deri në vitin 1998, ai mbajti pozitat e Drejtorit të Marrëdhënieve Multilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në vitin 1998 dhe 2001, shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Ambasador i Shqipërisë në Belgjikë dhe jo-rezident në Luksemburg. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, ai ishte Ambasador i Shqipërisë në Francë, përfshirë edhe jo-rezident në Portugali, Algjeri dhe Monaco.

Ndërmjet vitit 2006 dhe 2009, ai mbajti pozitat e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pozita më e lartë e shërbimit civil. Gjatë kësaj periudhe, ai shërbeu gjithashtu si Koordinator Kombëtar për Aleancën e Civilizimeve dhe ishte Guvernatori i Shqipërisë në Bordin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) (2007 – 2008).

Nga viti 2009 deri në vitin 2015, ishte Ambasador dhe Përfaqësues permanent i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe Ambasador i Jo-rezident i Shqipërisë në Kubë. Nga nëntori 2015 deri në mars 2018, ai ishte Drejtor i Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. Nga marsi 2018 deri në tetor 2021, shërbeu si Ambasador dhe Dërguar i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, në Paris. Më 30 shtator 2021, ai u emërua Ambasador dhe Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si dhe Ambasador Jo-rezident i Shqipërisë në Kubë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot shkarkimin nga detyra të:
Znj. Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Znj. Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Z. Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes;
Znj. Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme;
Z. Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë;
Z. Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Po sot, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi emërimin në detyrë të:
Znj. Albana Koçiu, Zëvendëskryeministër;
Z. Ferit Hoxha, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Z. Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme;
Z. Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes;
Z. Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë;
Z. Enea Karakaçi, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
Znj. Erjona Ismaili, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.