VULIN K*RCËNON KURTIN/ Reagon Kosova, ministri Sveçla: Serbia kërkon destabilizim, por nuk na tremb
Ish-shefi i inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin, ka lëshuar deklarata të ashpra kërcënuese ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke bërë krahasime me veprimet e Izraelit dhe shërbimit sekret Mossad, duke e krahasuar me fatin e Ajatollahut. Reagimi nga Prishtina ka qenë i menjëhershëm, me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla që e cilësoi deklaratën si kërcënim të drejtpërdrejtë dhe përpjekje për destabilizim.
Ish-shefi i Shërbimit të Inteligjencës Serbe, Aleksandar Vulin, ka bërë një deklaratë kërcënuese kundrejt Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke bërë analogji me eliminimin e Ajatollahut Ali Khamenei nga Izraeli.
Në një intervistë për media serbe, ai kërkoi hartimin e planeve konkrete ndaj, siç u shpreh, “individëve me emër dhe mbiemër që udhëheqin politika anti-serbe”.
Vulin bëri një analogji të drejtpërdrejtë me Izraelin dhe Mossadin, duke pyetur publikisht, “Nëse Mossadi mund ta bëjë, pse nuk mundemi ne?”.
Ai la të kuptohet se Serbia “e di si bëhen këto punë”, deklaratë që në Prishtinë është interpretuar si kërcënim i hapur ndaj udhëheqësve institucionalë të Kosovës.
Reagimi erdhi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili e quajti deklaratën thellësisht kërcënuese dhe të papranueshme. Sipas tij, përdorimi i analogjive me operacione sekrete dhe eliminime fizike përbën normalizim të gjuhës së dhunës dhe tentativë për destabilizim të drejtpërdrejtë në Ballkan.
Sveçla theksoi gjithashtu se Vulin është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të lidhjeve të tij me aktorë rusë të inteligjencës, ndërsa kujtoi precedentë historikë të përfshirjes së strukturave serbe në vrasje të veprimtarëve shqiptarë.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, institucionet e sigurisë janë në krye të detyrës dhe të gatshme të përballen me çdo kërcënim, ndërsa i bëjnë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të rrisin vëmendjen ndaj retorikës që, sipas tyre, synon destabilizimin e rajonit.
Deklaratat e fundit pritet të ndikojnë më tej në klimën politike dhe në raportet tashmë të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë.
