PRESIDENTI, ORË VENDIMTARE/ Albin Kurti propozon Glauk Konjufcën si kandidat për president të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozon Glauk Konjufcën si kandidat për president të Kosovës. Deri të mërkurën në mesnat vendi ose ka një president të ri, ose shkon në zgjedhje të reja
Ethet e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri kanë mbërthyer politikën në kosovë
Teksa orët afrojnë me afati kushtetues që përmbyllet më 4 mars, ende nuk është e qartë nëse vendi do të ketë një president të ri apo do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Pas takimit të tretë brenda një jave me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti ka hedhur në tavolinë emrin e Glauk Konjufca si kandidat për president.
Një lëvizje që ka surprizuar jo pak, pasi vetë Konjufca më herët nuk e kishte pranuar publikisht se do të ishte kandidat për këtë post. Takimi është cilësuar “konstruktiv”, por pa një marrëveshje konkrete.
Mediat në kosovë shkruajn se Kurti i ka kërkuar LDK-së të sigurojë kuorumin dhe votat e nevojshme për zgjedhjen e Konjufcës në Kuvend, në një përpjekje për të shmangur shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, LDK-ja ka mbledhur strukturat e saj për të diskutuar qëndrimin final, ndërsa opozita mbetet e rezervuar për të votuar një kandidat të propozuar nga Vetëvendosje.
Ajo që bie në sy është se në të gjithë këtë proces, duket se po shmanget emri i presidentes aktuale Vjosa Osmani, e cila gëzon mbështetje ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që për një mandat të dytë do të kishte nevojë për votat e opozitës.
Nëse deri në mesnatën e 4 marsit nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi rrezikon të hyjë automatikisht në një cikël të ri zgjedhjesh. Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës.
