Sulmi me dronë ndaj ambasadës amerikane në Riad/ Mullaj: Vendi është shumë i sigurt, teknologjia e avancuar ka neutralizuar shumë goditje

Sipas dëshmisë së Sindi Mullaj, shqiptare ne Riad, mëngjesin e së hënës lajmi për goditjen e ambasadës nga dy dronë u përhap në qytet. 

"Situata mbetet e qetë dhe nën kontroll."

“Nuk ka pasur shumë shpërthime,” thotë ajo, duke shtuar se një incident tjetër ka ndodhur në një rafineri nafte në Damam.

Pavarësisht se ndodhet rreth 30-40 minuta larg zonës së ambasadave, ajo personalisht nuk ka dëgjuar asgjë, por është informuar përmes komunitetit shqiptar. Duke iu drejtuar familjarëve në Shqipëri, ajo thekson se nuk ka vend për panik.

“Vendi është shumë i sigurt, siguria është maksimale dhe teknologjia e avancuar ka neutralizuar shumë goditje,” pohon ajo, duke shtuar se mediat ndoshta e kanë ekzagjeruar situatën.

 “Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë sirenë alarmi për sulm."

Alarmet e vetme që marrim janë kur bie shi, për të mos i dërguar fëmijët në shkollë,” rrëfen ajo. Pavarësisht tensioneve rajonale dhe lajmërimeve nga ambasadat për të qëndruar në shtëpi, jeta në Riad vazhdon normalisht. Jeta për komunitetin shqiptar përshkruhet si “goxha e mirë, aktive dhe e qetë”. Sipas saj, Arabia Saudite është bërë një destinacion tërheqës edhe për të huajt nga vendet perëndimore, për shkak të sigurisë, stabilitetit financiar dhe mjedisit të përshtatshëm për rritjen e fëmijëve.

Në lidhje me transportin ajror, Aeroporti Ndërkombëtar King Khalid mbetet funksional, por udhëtarët këshillohen të verifikojnë fluturimet e tyre për anulime apo vonesa të mundshme.

Ndërkohë, fluturimet e brendshme po operojnë pa probleme. Duke komentuar mbi situatën politike, ajo shprehet se Arabia Saudite ka deklaruar se do të mbrojë veten në rast sulmi, dhe se qeveria ka marrë masa për të garantuar sigurinë e civilëve. Ajo thekson se situata në Riad është shumë herë më e qetë në krahasim me atë në Dubai apo Bahrein, duke shpresuar që tensionet të mos përshkallëzohen më tej.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: