Jeta mes alarmeve/ Berberi: Fëmijët frikësohen nga sirenat, por puna në kantier nuk ndalet

Në një kohë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, Gjergji Berberi që jeton prej 11 vitesh në shtetin hebre rrëfen një realitet të pazakontë, ku jeta vazhdon mes tingujve të sirenave dhe kërcënimit të vazhdueshëm të raketave.

Gjergji, i cili jeton në Ra'anana, pranë Tel Avivit, përshkruan se si banorët janë përshtatur me një normalitet të ri, të mbështetur nga masat e sigurisë dhe një gjendje e përhershme gatishmërie.

"Pavarësisht situatës, jeta nuk ka ndalur.

Shumica e njerëzve punojnë. Të paktën 60-70% e sistemeve funksionojnë,” shprehet ai, duke treguar si dëshmi një pallat në ndërtim pranë banesës së tij ku punimet vazhdojnë normalisht. Ky normalitet i brishtë bëhet i mundur falë faktit se çdo banesë është e pajisur me dhoma sigurie ose bunkerë, të cilët ofrojnë strehim të menjëhershëm sapo bien sirenat e alarmit."

“Ndihemi më të sigurt që të vazhdojmë jetën dhe të mos e ndalojmë,” shton ai.

Megjithatë, ndikimi psikologjik i konfliktit është i pashmangshëm, veçanërisht te fëmijët. Gjergji e përshkruan këtë si “gjënë më të vështirë”, duke shpjeguar se si fëmijët frikësohen kur dëgjojnë sirenat apo zhurmat e shpërthimeve të raketave në ajër. T’u shpjegosh atyre pse duhet të jetojnë në këtë mënyrë mbetet një sfidë e përditshme për prindërit.

“Thjesht u themi se ka njerëz që nuk na duan dhe ne mundohemi të mbrojmë veten,” rrëfen ai.

Në lidhje me përplasjen me Iranin, Gjergji e sheh regjimin iranian si një “kërcënim të madh” për rajonin, i cili po ndërtonte raketa me rreze të gjatë veprimi. Ai e konsideron ndërhyrjen e Izraelit dhe SHBA-së si një mbrojtje të vlerave demokratike kundër një regjimi terrorist. Sipas tij, një lajm inkurajues është fakti se shumë qytetarë iranianë e mbështesin këtë ndërhyrje, duke shpresuar për rrëzimin e pushtetit aktual. “Rënia e regjimit të Iranit është një ndjenjë lirie më shumë për ne,” thekson ai, duke shtuar se kjo i jep legjitimitet dhe forcë veprimeve ushtarake.

Shteti i Izraelit dhe qytetarët e tij, përfshirë komunitetin shqiptar, jetojnë në një gjendje gatishmërie maksimale.

“Gatishmëria është 100%,” pohon Gjergji, duke përmendur se edhe bashkëshortja e tij është vullnetare në shërbimin e ambulancës për ndërhyrje të shpejta. Ai pranon se ka pasur pasoja në civilë nga sulmet, duke përmendur humbje jetësh në Jerusalem dhe Tel Aviv, por thekson se duke marrë parasysh numrin e madh të raketave të lëshuara, dëmet mund të kishin qenë shumë më katastrofike.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË: