Sanchez refuzon të bashkëpunojë me SHBA-në për sulmet kundër Iranit: Bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion

Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, deklaroi se vendi i tij nuk do të lejojë që bazat e tij ushtarake të përdoren për sulme ndaj Iran, sulme të cilat Spanja i ka dënuar.

Bëhet fjalë për baza që përdoren bashkërisht nga SHBA-ja dhe Spanja, por që ndodhen nën sovranitetin spanjoll.

Qëndrimi i Spanjës dhe dënimi i ashpër i veprimeve amerikano-izraelite ndaj Iranit nga kryeministri socialist Pedro Sánchez e vendosin edhe një herë vendin si një përjashtim në rajon, gjë që mund të përkeqësojë më tej marrëdhëniet e saj me Uashingtonin.

“Bazat spanjolle nuk po përdoren për këtë operacion dhe nuk do të përdoren për asgjë që nuk përfshihet në një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara apo për asgjë që nuk është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Albares në një intervistë për rrjetin televiziv Telecinco.

Ndërkohë, 15 avionë amerikanë janë larguar nga bazat ajrore Rota dhe Morón në jug të Spanjës që nga momenti kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit, sipas të dhënave të publikuara sot nga platforma FlightRadar24.

Të paktën shtatë prej tyre kanë zbarkuar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Dy fluturime, sipas të dhënave të faqes FlightRadar24, u nisën nga baza e Rotës, një bazë detare me pistë uljeje-ngritjeje, drejt jugut të Francës. Katër fluturime të tjera u nisën nga Rota, por itinerari i tyre nuk u bë i ditur.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles deklaroi se avionët, kryesisht avionë për furnizim me karburant në ajër, mes tyre edhe modeli Boeing KC-135 Stratotanker, ishin të stacionuar në mënyrë të përhershme në Spanjë.

Edhe Mbretëria e Bashkuar kishte refuzuar të lejonte përdorimin e bazave të saj për sulmin ndaj Irakut, por dje kryeministri Keir Starmer miratoi përdorimin e tyre për “vetëmbrojtje kolektive”.