KUVAJT – Rrëzohen disa avionë ushtarakë amerikanë, pa viktima mes ekuipazheve

Disa avionë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar në Kuvajt, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit.

Zëdhënësi i ministrisë nuk dha detaje mbi shkakun e rrëzimeve, numrin e saktë të avionëve të përfshirë apo llojin e tyre. Ushtria amerikane, e cila ka rreth 13 500 trupa të dislokuara në këtë shtet të vogël të Gjirit, nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Sipas zëdhënësit të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve KUNA, autoritetet kuvajtiane kanë gjetur anëtarët e ekuipazhit dhe i kanë transportuar në spital, ku janë raportuar në gjendje të qëndrueshme. Aktualisht po zhvillohet një hetim në bashkëpunim mes autoriteteve kuvajtiane dhe forcave amerikane të stacionuara në vend.

Ende nuk dihet nëse rrëzimet kanë ndodhur si pasojë e një aksident  apo sulmi me raketa

Në rrjetet sociale janë shpërndarë video që pretendohet se tregojnë incidentin. Disa pamje duket se tregojnë një avion luftarak duke u rrotulluar në ajër para se të përplaset në flakë. Të tjera materiale tregojnë banorë duke ndihmuar një pilot të supozuar amerikan pas hedhjes me parashutë.

Videot tregojnë se incidenti ka ndodhur disa kilometra nga baza ajrore “Ali al-Salem” në Kuvajt. Mjeti ajror duket të ketë qenë ose një “F-15 “ose një “F/A-18”.

Forcat e armatosura të Kuvajtit përdorin gjithashtu këto lloje avionësh.

Tym pranë ambasadës amerikane

Në një zhvillim tjetër, dëshmitarë raportuan se është parë tym parë duke dalë pranë ambasadës amerikane në Kuvajt. Shkaku i zjarrit nuk është bërë i ditur menjëherë.

Ambasada kishte paralajmëruar më herët për një kërcënim të vazhdueshëm nga raketa dhe dronë dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin zonën dhe të qëndrojnë vigjilentë. Mbrojtja ajrore, sipas autoriteteve, ka interceptuar disa dronë “armiqësorë” që iu afruan vendit nga deti. Nuk janë raportuar viktima dhe situata e sigurisë është cilësuar si “e qëndrueshme”.

Kuvajti, si shtetet e tjera të Gjirit, është përballur me sulme pas vrasjes së udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei. Objektivat në rajon kanë përfshirë edhe baza ushtarake amerikane.