India dhe Kanadaja, marrëveshje historike për energjinë bërthamore dhe tregtinë

India dhe Kanadaja kanë njoftuar një seri marrëveshjesh të reja, përfshirë një marrëveshje 10-vjeçare në fushën e energjisë bërthamore, pas takimit mes kryeministrit indian Narendra Modi dhe homologut të tij kanadez Mark Carney në kryeqytetin indian, sipas BBC.

Dy liderët synojnë të rivendosin marrëdhëniet që u përkeqësuan ndjeshëm pas tensioneve diplomatike të viteve të fundit.

Marrëveshja parashikon furnizim afatgjatë me uranium për Indinë, si dhe bashkëpunim në zhvillimin e reaktorëve të vegjël modularë dhe teknologjive të avancuara bërthamore. Modi theksoi se të dy vendet do të thellojnë gjithashtu bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, superkompjuterë dhe gjysmëpërçues, si dhe do të organizojnë së bashku një samit për energjinë e rinovueshme.

Në planin tregtar, palët synojnë të përmbyllin deri në fund të vitit 2026 një marrëveshje gjithëpërfshirëse për partneritet ekonomik, e diskutuar prej më shumë se një dekade. Objektivi i shpallur është rritja e shkëmbimeve tregtare dypalëshe në 50 miliardë dollarë, në një kohë kur të dyja vendet kërkojnë të diversifikojnë tregtinë dhe të ulin varësinë nga tarifat ndëshkuese të SHBA-së.

Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan pas akuzave të ish-kryeministrit kanadez Justin Trudeau lidhur me një rol të mundshëm të Indisë në vrasjen e separatistit sikh Hardeep Singh Nijjar në vitin 2023. India i mohoi me forcë akuzat dhe kriza çoi në dëbime diplomatike reciproke dhe pezullim të shërbimeve të vizave.

Që prej marrjes së detyrës nga Carney vitin e kaluar, palët kanë ndërmarrë hapa për të rindërtuar marrëdhëniet mes dz vendeve . Aalistët vlerësojnë se afrimi i ri reflekton një qasje pragmatike përballë zhvillimeve gjeopolitike, ndërsa India kërkon partnerë të rinj energjetikë dhe tregtarë për të reduktuar varësinë nga furnizimet ruse.