"Programi bërthamor është parë me shqetësim"/ Çipa: SHBA e Irani, kohë për të negociuar që nga qershori 2025

Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Akri Çipa, ishte i ftuar në një lidhje direkte në Ora News për të folur mbi tensionet mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit dhe mundësitë e humbura për një zgjidhje diplomatike.

Sipas tij, veprimet e Teheranit kanë ardhur si rezultat i një kombinimi faktorësh, ku përfshihet një perceptim i gabuar për mbrojtje rajonale dhe mbështetje nga aleatë që në fund nuk rezultuan efektivë.

“Ka pasur një iluzion për një lloj mbrojtjeje rajonale dhe për një presion të faktorit ndërkombëtar tek aleatët, por në fund të ditës këta aleatë nuk ishin efektivë për vetë Iranin.

Kjo lidhet para së gjithash me qëndrimet që ka mbajtur Irani, pavarësisht përpjekjeve për të thelluar marrëdhëniet me shtete si Rusia.

Programi bërthamor është parë me shqetësim dhe po ashtu edhe përpjekjet për të eksportuar terrorizëm në Liban, Siri, Irak dhe vende të tjera të rajonit.”- tha ai.

Çipa u ndal edhe tek periudha pas sulmit të ndërmarrë nga SHBA ndaj bazave ku zhvillohej programi bërthamor iranian në qershor të vitit të kaluar.

Ai tha se ekzistoi një hark kohor disa mujor për të arritur një marrëveshje.

“Që nga qershori i vitit të kaluar ka pasur një hark kohor prej shtatë deri në tetë muajsh për të negociuar. Ka pasur përpjekje dhe hapje nga Presidenti Trump për negociata të drejtpërdrejta me Iranin, por pavarësisht tentativave për t’u ulur në tryezë, është vënë re mungesë serioziteti në raport me çështjet thelbësore.”- shtoi Çipa.

Sipas analizës së tij, kjo periudhë përbënte një mundësi konkrete për uljen e tensioneve, por mosbesimi dhe qëndrimet e ngurta e çuan procesin drejt dështimit.

Ndiqni intervistën e plotë: