"Nëse nuk vetëdorëzohet, akuza rëndohet"/ Marku pas arratisjes së mësueses: Nëse je në të drejtën tënde, s'ke arsye të mos përballesh
E ftuar në emisionin “Epiqendër” ishte Aurora Marku, avokate, e cila komentoi situatën e krijuar pas publikimit të videos, ku shfaqet mësuesja Mine Hasani duke ushtruar dhunë mbi nxënësit e shkollës fillore në Kamëz dhe më pas largohet, duke shmangur përballjen me autoritetet.
Marku tha se largimi mund të jetë pasojë e tronditjes dhe presionit të fortë mediatik që pasoi publikimin e pamjeve, por nuk përjashtohet as mundësia që të jetë këshilluar të qëndrojë e fshehur deri në qetësimin e situatës.
“Nëse nuk vetëdorëzohet, akuza rëndon, sepse po i fshihet drejtësisë. Në momentin që largohesh, krijohet bindja se je fajtore. Nëse je në të drejtën tënde, nuk ke arsye të mos përballesh.”- tha ajo.
Sipas saj, vetëdorëzimi do të ishte lëvizja e vetme që mund të ndikojë pozitivisht në procesin hetimor dhe në masën e dënimit.
“Vetëdorëzimi në këto momente do të ndihmonte edhe në opinionin publik dhe në pjesën ligjore. Pranimi i fajit dhe përballja me përgjegjësinë ndikojnë në një dënim më të lehtë.”- shtoi avokatja.
Avokatja sqaroi se largimi nuk e zgjidh çështjen, por vetëm e shtyn në kohë.
Sipas saj, përballë saj nuk qëndron vetëm akuza për dhunë, por edhe ajo për shpërdorim detyre, çka e bën dosjen më të rëndë.
Një grup prindërish kanë paraqitur denoncim formal, duke i shtuar peshë hetimit.
Marku foli edhe për ndikimin e asaj që quhet “gjyq publik”, i cili mund të zbehet me kalimin e kohës, por nuk e zhduk procesin gjyqësor.
Vendimi, në fund, do të mbështetet në provat dhe në qëndrimin që e akuzuara do të mbajë përballë drejtësisë.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR":

