"Sa të poshtëruar ndihen përballë një mësueseje"/ Koçibellinj: Pushteti i kthyer në agresion, kemi të bëjmë me dh*në të pastër

E ftuar në studion e “Epiqendër” në Ora News ishte Suela Kocibellinj, eksperte edukimi, e cila analizoi videon e bërë virale ku shfaqet një mësuese duke ushtruar dhunë ndaj nxënësve të klasës së pestë në Kamëz.

Rasti ka nxitur debat mbi sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në shkollë.

Kocibellinj e pa videon fillimisht në rrjete sociale dhe reagimi i parë, siç tha, ishte shqetësimi për gjendjen emocionale të fëmijëve.

“Në momentin që e pashë videon, mendova për fëmijët. Sa të cenuar dhe të poshtëruar ndihen përballë një mësueseje që ka pushtet vetëm nga pozicioni që mban.”- tha ajo.

Sipas saj, pushteti që buron nga roli i mësuesit duhet të jetë bashkëpunues dhe në shërbim të zhvillimit të nxënësit, jo mjet presioni.

“Ai pushtet duhet të jetë i mirë dhe bashkëpunues. Kur kthehet në agresion, kërcënim dhe poshtërim, kemi të bëjmë me dhunë të pastër psikologjike.”-shtoi ekspertja.

Ekspertja vuri në dukje se nxënësit e klasës së pestë ka shumë gjasa ta kenë pasur të njëjtën mësuese që nga klasa e parë, çka nënkupton vite të tëra ekspozim ndaj të njëjtit model sjelljeje.

“Heshtja e fëmijëve të tjerë në klasë tregon se janë mësuar me këtë model. Mësohen të pranojnë të gabuarën dhe të mos reagojnë, vetëm për të shpëtuar veten.”- nënvizoi Koçibellinj.

Sipas saj, ky është një model që dëmton formimin e individit dhe krijon qytetarë që nuk mbrojnë dot as veten dhe as të tjerët.

Ekspertja nënvizoi edhe ndikimin në procesin e të nxënit dhe zhvillimin personal.

“Një klimë frike e zhvendos fokusin nga mësimi te mbijetesa emocionale. Kreativiteti, shprehja dhe fantazia e moshës cungohen. Në atë ambient, dija nuk ngulitet.”- tha ajo.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "EPIQENDËR":