Çarjet e rrugëve/ Përgjegjësi i ARRSH: Mjetet e tonazhit të rëndë mbi norma

Përgjegjësi i sektorit të menaxhimit të kontratave në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gëzim Noni në një dalje televizive ka folur për çarjet e rrugëve ditët e fundit  dhe shkaqet e këtij fenomeni.

Noni tha se një nga shkaqet është fluksi i shtuar ndër vite në rrugë.

Më tej ai tha se disa rrugë kanë çarje të vjetra dhe risillen në vëmendje qëllimisht.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në çarjen e rrugëve, sipas Nonit janë mjetet e tonashit të rëndë që janë gjithmonë jashtë normave të lejuara dhe nuk ka kontrolle.

Ky është dhe shkaku kryesor i degradimit të rrugëve sipas përgjegjësit të ARRSH.

Shkarje të tilla i shohim se i kemi dhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria. Në të njëjtën situatë është Turqia, ka qenë Italia, vendet e rajonit, etj., etj. Ajo që bën bujë është ndërprerja e trafikut. Kjo është.

Pastaj, ka dhe një gjë. Fluksin që kishim në kohën e Enverit nuk ka lidhje me fluksin e sotëm. Fluksi avancon me vite. Sa i përket Boboshticë-Dardhë, është një shembje e vjetër, e evidentuar. Ka vite që funksionon ashtu. Janë bërë projektet herë pas here, presim në çdo moment një financim, që deri më tani nuk është bërë i mundur. Kështu ka funksionuar, por sillet në vëmendje qëllimisht dhe sillet sikur është bërë nami gjithandej. Madje, na faturojnë rrugë që s’janë aspak të institucionit tonë. Na faturojnë rrugë lagjesh, fshatrash…

Kanë rol të jashtëzakonshëm. Përveçse që kemi dhe një gjë tjetër që duhet ta themi, madje duhet ta themi me zë të lartë. Të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë janë mbi normat e lejuara. Të gjitha! Nuk kontrollohen, nuk menaxhohen, sot që flasim kjo gjë nuk ndodh. Kjo vërehet gjithandej. Shkaku kryesor i degradimit të rrugëve janë këto mjete të transportit të rëndë, me ngarkim mbi normat e lejuara”, tha përgjegjësi i ARRSH-së.