PACQUIAO VS MAYWEATHER/ Revanshi historik rikthen në ring dy legjendat e boksit botëror

Manny Pacquiao Floyd Mayweather rikthehen në një tjetër akt të  një prej përballjeve më të forta në historinë e boksit. Sfida pritet të zhvillohet në shtator në Las Vegas.

Rikthehet në ring një nga përballjet më të mëdha të historisë së Boksit!

Manny Pacquiao dhe Floyd Mayweather kanë rënë dakord për një revansh profesional, që do të zhvillohet më 19 shtator në “Sphere” të Las Vegasit

Pacquiao, 47 vjeç, rikthehet në një duel që rikthen kujtimet e “Fight of the Century” të vitit 2015, përballje që mbetet më fitimprurësja në historinë e boksit.

Atëherë ishte Mayëeather ai që fitoi me vendim unanim, duke ruajtur rekordin e tij të paprekur.

Mayweather, që mbush 49 vjeç këtë javë, ka 50 fitore në 50 ndeshje profesionale, 27 prej tyre me nokaut.

Ai nuk ka zhvilluar një duel profesional që prej fitores ndaj Conor McGregor në vitin 2017, ndërsa së fundmi ka qenë aktiv në duele ekzibicioni. Amerikani deklaroi se rezultati do të jetë i njëjtë si në përballjen e parë.

Nga ana tjetër, Pacquiao, kampion bote në tetë kategori peshe dhe fitues i 12 titujve botërorë, u tërhoq në vitin 2021 për t’iu përkushtuar politikës, por u rikthye në ring vitin e kaluar. Filipinasi është shprehur se tifozët e kanë pritur mjaftueshëm këtë revansh dhe se synon t’i shkaktojë Mayëeather humbjen e parë në karrierë.

Ende nuk janë bërë publike detajet mbi numrin e raundeve apo kategorinë e peshës, ndërsa organizatorët pritet të shpallin së shpejti informacionet për biletat dhe përballjet e tjera të mbrëmjes.

Një gjë është e sigurt: Las Vegasi përgatitet për një tjetër natë historike.