Klauzola e veçantë në kontratë, Luis Diaz rrezikon gjobë të rëndë nga Bajern Mynihu

Luis Diaz është kthyer në një yll të Bajern Mynih që në vitin e tij të parë me bavarezët, duke shënuar 19 gola e dhënë 15 asiste në 33 ndeshje. Por në një klub si Bajerni, thjesht paraqitja në fushë nuk mjafton dhe tani ai rrezikon një gjobë të majme për shkak të… gjuhës.

Jashtë fushës së lojës duket se kolumbiani ka një detyrë më të vështirë se sa të shënojë gola, pasi i duhet të mësojë gjuhën gjermane, që është kërkesë nga klubi bavarez. Dhe nuk bëhet fjalë për një kërkesë që mund të anashkalohet lehtë. Siç zbulohet nga BILD, ky është një kusht i përfshirë në klauzolat e kontratës së tij me Bajernin dhe nëse nuk respektohet, do të çojë në pasoja të rënda financiare.

Sipas tabloidit, klauzola e vendosur dhe e pranuar nga 28-vjeçari përcakton që lojtari duhet të mësojë gjermanisht dhe të tregojë progresin e tij përmes provimeve periodike. Përndryshe, ai do të duhet të paguajë një gjobë mes 5000 dhe 50000 eurosh. Kjo klauzolë nuk është vetëm për Diaz, por rezulton se i është vënë pjesës më të madhe të lojtarëve të huaj që i janë bashkuar Bajern Mynihut.