Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

Në Kosovë kanë nisur diskutimet mbi emrin e Presidentit të ri, apo konfirmimit të Vjosa Osmanit në krye të Shtetit edhe për një mandat.

Në këtë kuadër, Kryeministri Albin Kurti ka nisur takimet me drejtues të partive në opozitë për koordinim parlamentar sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Kreu LVV-së, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vazhduar koordinimin parlamentar lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kosovës.

Të dielën, Kurti është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Kryeministri ka thënë se gjatë takimit e ka falënderuar liderin e opozitës për bashkëpunimin e deritanishëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Temë e bisedës ishte zgjedhja e presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit.

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza pas takimimit me kryeministrin, Albin Kurti, për zgjedhjen e presidentit, tha se kjo nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithëve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. /KosovaPress