Xhafaj për situatën e vështirë të ekipit bardheblu: Tirana s'ka forcën dhe karakterin për të ndryshuar fatin e ndeshjeve


I ftuar në studion e Ora Sport ishte ish-futbollisti dhe vëllai i ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj.

Ky i fundit analizoi situatën e vështirë që po kalon KF Tirana dhe arsyet që, sipas tij, e kanë çuar skuadrën në këtë pikë.

Sipas Xhafajt, Tirana nuk ka më forcën fizike dhe as karakterin për të ndryshuar fatin e ndeshjeve.

Ai e sheh skuadrën në vështirësi serioze, sidomos në një kampionat ku rivalët po rrisin nivelin.

“Nuk shoh forca për ta kthyer rezultatin. Tirana pajtohet me humbjen. Kur dikur nuk e pranonte kurrë, sot duket një skuadër e lodhur, pa përgatitje fizike dhe pa kombinim mes lojtarëve.”- tha ai.

Ai ngriti shqetësimin edhe për lëvizjet e shumta të trajnerëve dhe futbollistëve, që sipas tij kanë ndikuar në mungesën e stabilitetit.

Skuadra, nuk mund të mbështetet te një apo dy individë, por duhet të funksionojë si grup, gjë që aktualisht mungon.

Xhafaj foli edhe për “peshën e fanellës”, duke kujtuar kohën kur klubet si Tirana, Partizani apo Dinamo përfaqësonin përgjegjësi të madhe për çdo lojtar që i vishte.

“Kur vesh fanellën e Tiranës, Partizanit apo Dinamos është përgjegjësi e madhe. Sot duket sikur ajo peshë ka humbur. Lojtarët që vijnë duhet të njohin historinë e klubit dhe ta kuptojnë çfarë përfaqësojnë.”- shtoi Xhafaj.

Sipas tij, largimi nga akademia dhe afrimi i lojtarëve që nuk e njohin traditën e klubit ka ndikuar në zbehjen e identitetit.

Me kampionatin që po bëhet gjithnjë e më i fortë, Tirana rrezikon të mbetet pas nëse nuk gjen stabilitet dhe reagim të shpejtë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË TË "ORA SPORT":