"Kam qenë gjithë jetën me Dinamon"/ Sportisti Çullhaj kujton tifozerinë në futboll para se t'i përkushtohej xhudos

I ftuar në studion e Ora Sport ishte sportisti i njohur i xhudos Indrit Çullhaj, i cili rrëfeu rrugëtimin e tij nga futbolli drejt sporteve luftarake, si dhe përgatitjet intensive për Kampionatin Europian në Gjeorgji.

Çullhaj tregoi se familja e tij ka pasur gjithmonë lidhje të fortë me futbollin, por me tifozëri të ndarë mes Partizanit, Tiranës dhe Dinamos.

Ai kujtoi vitet kur ndiqte Dinamon në stadium, përpara se të përqendrohej plotësisht te xhudoja.

“Unë vetë kam qenë gjithë jetën me Dinamon. I kam nisur hapat e parë aty, në vitet 2007-2008 kur ishte shumë mirë. I ndiqnim ndeshjet me familjen, pastaj u shkëputa dhe u fokusova te sportet luftarake.”- tha Çullhaj.

Duke folur për përditshmërinë e tij, ai shpjegoi se përgatitjet për Kampionatin Europian zgjasin disa muaj dhe kërkojnë disiplinë të lartë, me tre seanca stërvitore në ditë.

“Para Europianit bëjmë tre-katër muaj grumbullim, me stërvitje tre herë në ditë. Në xhudo je vetëm në tatami, por që të kesh sukses duhet ekip i fortë dhe trajner i mirë. Të gjithë duhet të jenë për njëri-tjetrin.”- shtoi ai.

Çullhaj ndau edhe bindjen se, edhe pse xhudo është sport individual, fryma e grupit dhe bashkëpunimi janë thelbësore për arritjen e rezultateve në nivele të larta.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË TË "ORA SPORT":