Lamallari: Molotovët, treguesi më i qartë i dëshpërimit të një njeriu që sheh se besimi venitet nga zgjedhje në zgjedhje
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallri, deklaroi sot se përdorimi i molotovëve është treguesi më i qartë i dëshpërimit të atyre që, siç tha, “shohin besimin të venitet nga zgjedhje në zgjedhje dhe që besojnë se pushteti i takon vetëm të shkuarës”.
Duke përcjellë momente të protestës së sotme kombëtare të opozitës gjatë së cilës u hodhën molotovë ndaj Kryeministrisë, Kuvendit dhe kordonit policor të sigurisë, Lamallari vuri në dukje se disa protestues ishin me çadra dhe kapuçë për t’u fshehur nga kamerat, si dhe ishin të maskuar dhe me çanta të dyshimta gjatë protestës.
Lamallari theksoi gjithashtu se deputetë të Partisë Demokratike ishin në krye të organizimeve të tilla.
Për më shumë se dy orë, protestuesit hodhën fishekzjarre e molotovë, duke e përshkallëzuar veprimin edhe nëpër rrugët pranë xhamisë së Madhe të Tiranës ku policia i shpërndau me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
