Niveli i ujit në Obot rreth 30 cm, kalimi i rrugës me mjete të larta
Prefektura e qarkut Shkodër informoi sot se niveli i ujit në fshatin Obot vijon të jetë rreth 30 centimetra, ndërsa nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.
Sipas njoftimit të Prefekturës, në terren janë angazhuar 6 forca dhe 1 mjet nga Reparti Ushtarak 1010 i Vaut të Dejës.
Prefektura e Shkodrës bën të ditur se sipas të dhënave të administruara nga DRUK Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike.
Niveli i liqenit është 7,85 m (kuota kritike 9,50 m), ndërsa niveli i lumit Drin është 7,60 m (kuota kritike 10 m). Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 25 mm reshje shiu. Infrastruktura e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet paraqitet funksionale dhe pa probleme, ndërkohë që reshjet e shiut vijojnë.
Sa i përket situatës së akseve rrugore, në aksin Koplik–Bogë dhe Dedaj–Razëm vijojnë reshjet e shiut, ndërsa në aksin Bogë–Theth ka reshje bore. Trashësia e borës ka arritur mbi 50 cm, duke rritur rrezikun për rënie ortekësh. Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Në bashkinë Malësi e Madhe gjatë gjithë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, pa raportim problemesh nga strukturat e Emergjencave Civile. Edhe në bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet mesatar, pa probleme të raportuara.
Ndërkohë, në bashkinë Pukë dhe bashkinë Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Institucioni i Prefektit të qarkut Shkodër dhe strukturat vendore vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe do të raportojnë për çdo zhvillim të situatës së emergjencave civile.

