VIDEO/ Tunel dr*ge në mes të Shkodrës! Bunker kan*bisi me 254 pajisje elektrike, arrestohen tre persona e procedohen tre punonjës së OSHEE

Në Shkodër është zbuluar një ambient i fshehtë i përshtatur për kultivimin e kanabisit brenda një tuneli në lagjen “10 Korriku”.

Zbulimi u bë në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 9”, pjesë e një serie aksionesh kundër kultivimit të drogës në ambiente të mbyllura.

Me këtë rast, numri i rasteve të zbuluara në kuadër të operacionit “Neonët” ka shkuar në 14.

Tuneli ndodhej në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër.

Brenda tij ishin instaluar pajisje të shumta elektrike për rritjen dhe tharjen e bimëve narkotike.

Energjia elektrike merrej përmes lidhjes së paligjshme.

Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithsej 670 bimë dhe fidanë të dyshuar kanabisi, konkretisht 555 fidanë dhe 115 bimë të rritura.

Po ashtu u gjetën 126 llamba, 31 panele LED, 17 filtra ajri dhe 80 pajisje të tjera që përdoreshin për kultivimin dhe tharjen e bimëve.

Në vendngjarje u arrestuan A. P. dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën brenda tunelit. U arrestua edhe D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Përveç tyre, nisi procedimi penal për tre punonjës të OSHEE, D. P., 32 vjeç; M. H., 35 vjeç; dhe F. V., 23 vjeç – të dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me furnizimin e paligjshëm me energji elektrike.

Operacioni u zhvillua nga strukturat vendore të policisë në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, pas informacioneve të marra për kultivim kanabisi në ambiente të mbyllura me ndihmën e llambave speciale.