Nis mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes, Trump: Luftrat që kanë zgjatur me vite, ne i kemi dhënë fund brenda 2 viteve
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes nisi zyrtarisht në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Washington D.C. me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Pas fotos familjare me pjesëmarrësit, Seanca u çel me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në tryezën e rrumbullakët do të ketë prezantime dhe përditësime nga figura të rëndësishme ndërkombëtare pjesëmarrëse në takim mbi natyrën historike të kësaj nisme, përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe koordinimin e ndërmjetësve, adresimin e nevojave humanitare dhe të sigurisë në Gaza, procesin e demilitarizimit, rindërtimin përmes një plani të përgjithshëm zhvillimi, forcimin e kapaciteteve institucionale, si edhe krijimin e mekanizmave financiarë transparentë, përfshirë Fondin Sovran të Pasurisë.
Axhenda përfshin gjithashtu prezantime mbi teknologjinë dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe mbi rezultatet e matshme që synohen në terren, duke vendosur themelet e veprimit konkret të Bordit në fazën e tij të parë operacionale.
Nisja e aktivitetit të Bordit shënon një hap të ri në koordinimin ndërkombëtar për adresimin e sfidave globale të sigurisë dhe të rindërtimit. Prania e Shqipërisë në bordin themelues, dëshmon sërish se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
“Sukseset që kemi arritur, në fillim më thanë që nuk realizoheshin për 4 vite, u arritën brenda një viti. Arritje financiare të jashtëzakonshme, kemi bërë një punë të mrekullueshme. Bordi i Paqes është një nga gjërat më të arritura. Disa nga luftërat zgjasin prej dhjetëra vitesh dhe ne i kemi dhënë fund brenda dy ditëve.
Gaza është çështje komplekse, Marco Rubio po na ndjek, çfarë pune e mrekullueshme është bërë. Sot është një nder i madh që ju mirëpres në Institutin e Paqes. Është bordi më i fuqishëm, këtu bën pjesë pjesa më e madhe e liderëve botërorë. Disa po bëjnë naze, por shumë drejtues e kanë pranuar menjëherë. Ka disa që nuk duam t’i kemi” – tha Trump.

