FOTO+VIDEO/ “Milano Cortina 2026”, dita e 13-të: Reparti Antidrone i Ushtrisë Italiane në mbrojtje të Olimpiadës

Sot shënohet dita e 13-të e Lojërave Olimpike Dimërore Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, një event historik për Italinë që po zhvillohet mes Milanos dhe Cortina-s, nën një plan sigurie të paprecedentë.

Ndërsa në Pallatin e Sportit dhe në pistat përreth Cortina-s zhvillohen garat e atletëve nga e gjithë bota, në rrugët pranë tyre dhe në pozicione strategjike patrullojnë forca të shumta sigurie: Policia e Shtetit Italian, Karabinierët, Guardia di Finanza, strukturat e Antiterrorizmit, Ushtria Italiane si dhe forca policore të huaja.

Mes tyre janë edhe agjentë të U.S. Immigration and Customs Enforcement (ICE), të cilët ndodhen në mbështetje të atletëve amerikanë, si dhe repartet e policisë së Katarit që patrullojnë krah për krah me forcat italiane, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar nga ministrat e brendshëm të dy vendeve.

Fjalët kyçe të kësaj Olimpiade janë safety dhe security. Gjithçka koordinohet nga një Qendër Operative Interforce në Milano, ku dhjetëra ekrane monitorojnë në kohë reale çdo zonë të eventit, duke garantuar rendin dhe sigurinë.

6000 forca policore dhe 1.7 miliardë euro për sigurinë

Mbi 6000 forca policie janë të angazhuara në planin e sigurisë së Olimpiadës Milano Cortina 2026, me një kosto ende jo zyrtare prej rreth 1.7 miliardë euro. Rreth 50 milionë euro janë dedikuar për cybersigurinë, Inteligjencën Artificiale dhe instrumente teknologjike super të avancuara.

Në mesin e patrullave që lëvizin në rrugët e Cortina-s janë edhe ekipet e drejtuara nga Marshalli Daniele Ricci, i Repartit Antidrone të Ushtrisë Italiane.

FOTO+VIDEO/ “Milano Cortina 2026”, dita e 13-të: Reparti
Gazetarja shqiptare, Alba Kepi

Për gazetaren shqiptare Alba Kepi, ai shprehet:

“Ekipi ynë ndodhet në Cortina për Lojërat Olimpike për të garantuar sigurinë e garave kundër dronëve jo të autorizuar. Jemi të pajisur me instrumente jammer, të afta për të kapur çdo sinjal të tillë dhe për të neutralizuar çdo ndërhyrje duke bllokuar dronët e komanduar në telekomandë e në lëvizje.

Jemi të aftë të kapim çdo frekuencë dhe të identifikojmë pikën nga është nisur një dron i paautorizuar. Jemi të pranishëm në çdo garë. Deri më tani nuk kemi pasur nevojë të përdorim pajisjet tona aktive, por kemi në funksionim të plotë sensorë pasivë që lëshojnë sinjale monitorimi. Në bashkëpunim me policinë, jemi në gatishmëri 24 orë në 24.

Numri i ekipit antidronë është 15 ushtarakë dhe ndodhemi këtu që prej ditës së parë të nisjes së Olimpiadës. Nuk është hera e parë që marrim pjesë në evente të kësaj rëndësie; kemi qenë të pranishëm në Samitin e G7 në Itali, gjatë Vitit Jubilar 2025 dhe në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut. Jemi të përgatitur për të përballuar çdo tipologji sulmi, me fokus kryesor garantimin e mbrojtjes së personave.”

Siguria e Lojërave Olimpike Milano Cortina 2026 po konsiderohet si një nga operacionet më të mëdha të koordinimit ndërinstitucional në historinë e eventeve sportive në Itali.

Në Cortina, përtej spektaklit sportiv, zhvillohet edhe një operacion i heshtur, i organizuar dhe i teknologjizuar në detaje — për të garantuar që Olimpiada të mbetet vetëm festë sporti.