PAVLOVIÇ MUNGON NDAJ PARMËS/ Trauma e fortë në këmbën e majtë. Hematomë dhe dëmtim pa frakturë

Milan do të jetë pa Strahinja Pavlović në ndeshjen kundër Parmës pas një dëmtimi të pësuar ndaj Comos. Ekzaminimet konfirmuan traumë të fortë në këmbën e majtë, por pa frakturë.

Milan përballet me një tjetër problem pas barazimit të fundit ndaj Comos, rezultat që e lë skuadrën kuqezi shtatë pikë larg Interit në garën për titull. Mbrojtësi serb Strahinja Pavlović do të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Parmës, e programuar të dielën në orën 18:00 në “San Siro”, për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë sfidës së fundit.

Pavlović u zëvendësua në pushimin mes pjesëve, pasi në fraksionin e parë të lojës mori një goditje të fortë në këmbën e majtë. Mbrojtësi la stadiumin me një mbrojtëse në këmbë për arsye paraprake, ndërsa ekzaminimet mjekësore të kryera paraditen e së nesërmes sqaruan natyrën e dëmtimit.

Sipas komunikimit zyrtar, lojtari ka pësuar një traumë direkte me intensitet të lartë në këmbën e majtë, e shoqëruar me hematomë të theksuar të indeve të buta dhe imbibicion edematozo-hemorragjik në nivel të kockës së fibulës, pa ndërprerje të korteksit. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një goditje shumë të fortë që ka prekur edhe strukturën kockore, duke shkaktuar gjakderdhje të brendshme, por pa frakturë.

Stafi mjekësor ka vendosur që Pavlović të mos rrezikohet për sfidën ndaj Parmës, ndërsa do të ndiqet në ditët në vijim për të vlerësuar kohën e rikuperimit. Mungesa e tij përbën një shqetësim shtesë për trajnerin Massimiliano Allegri, në një moment delikat të sezonit, ku çdo pikë është vendimtare për objektivat e kampionatit.