Ylli në “German House” në Cortina: Thellim i bashkëpunimit sportiv Shqipëri-Gjermani
Me ftesë të Komitetit Olimpik Gjerman, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, mori pjesë në një mbrëmje të veçantë në “German House”, në Cortina, në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.
Gjatë qëndrimit, presidenti Ylli u prit në një takim të veçantë nga sekretari i përgjithshëm, Otto Fricke, me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur dhe miqësore mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy komiteteve olimpike.
Në fokus të diskutimeve ishte shkëmbimi i eksperiencave në organizimin e aktiviteteve sportive, rritja e bashkëpunimit institucional dhe ndërtimi i urave të reja partneriteti mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në kuadër të familjes olimpike ndërkombëtare.
Presidenti Ylli e përgëzoi për rezultatet e Gjermanisë në këto Lojëra dhe i adresoi një ftesë zyrtare Fricke për një vizitë në Shqipëri, me synim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Mbrëmja vijoi me takime informale me përfaqësues të tjerë të komiteteve olimpike, në një atmosferë miqësore dhe festive, duke konfirmuar frymën e bashkëpunimit që karakterizon lëvizjen olimpike ndërkombëtare.

