Taekwondo, 1200 sportistë nga 50 vende të botës garuan në Tiranë për kualifikim në Finalen e Grand Prix

Tirana u kthye në epiqendrën europiane të Taekwondo-së me zhvillimin e “European Taekwondo E6 – Qualification to ETU Grand Prix Final”.

“Një sukses i jashtëzakonshëm për Taekwondo-në shqiptare dhe një tjetër moment krenarie për sportin kuqezi në arenën ndërkombëtare!”, njoftoi sot ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ky super event u organizua nga Shoqata “Qendra Taekwondo” dhe Shoqata Top Gym Sport në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Taekwondo-së, më 13-14-15 shkurt, ku rreth 1200 sportistë nga 50 vende të botës garuan për kualifikim në Finalen e Grand Prix dhe për pikë të rëndësishme në renditjen ndërkombëtare, duke sjellë në Shqipëri energji, emocion dhe promovim turistik; ndërkohë, në Top Tirana Trophy shkëlqyen edhe kampionët shqiptarë me vendet e para:

Erdi Alla – Kategoria Fëmijë (Meshkuj) +57 kg

Amaris Kaciqi – Kategoria Fëmijë (Meshkuj) -27 kg

Alisha Ahmeti – Kategoria Fëmijë (Femra) -44 kg

Ibrahim Hidri – Kategoria Senior (Meshkuj) -80 kg

Dy aktivitetet ndërkombëtare të zhvilluara në Tiranë: “European Taekondo E6 Qualification to ETU Grand Prix Final” si dhe “Top Tirana Trophy 2026” mundësuan kualifikimin për eventin Final Grand Prix dhe grumbullimin e pikëve të rankimit ndërkombëtar në sportin e Taekwondo-së.

Në këtë aktivitet garuan mbi 1500 sportistë të të gjitha kategorive (fëmijë, kadet, junior dhe senior) nga 50 vende të ndryshme të botës dhe morë pjesë rreth 500 trajnerë, gjyqtarë dhe delegatë të sportit.

Eventi ka sjellë në Shqipëri krahas pjesëmarrësve zyrtarë, edhe prindër, familjarë, shoqërues dhe sportdashës nga e gjithë bota, duke promovuar vendin, turizmin shqiptar,  por dhe duke vënë në lëvizje ekonominë dhe ndërshkëmbimin social dhe kulturor.