Kapiteneria e Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve të vogla, shkak moti i keq

Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike.

Sipas Kapitenerisë, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 08:00 e ditës së sotme, deri në 06:00 të datës 20 shkurt.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kapiteneria e Portit të Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 20 shkurt.