Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Porti i Porto Romanos, me rëndësi strategjike
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve u ndal sot te rëndësia strategjike e portit të Porto Romanos.
Van Cleve mbajti një fjalë në panelin e organizuar në kuadër të ministerialit të Korridorit VIII që zhvilloi punimet sot në Tiranë.
Ai u ndal te ndërlidhja strategjike dhe rritja ekonomike rajonale dhe potenciali ekonomik i Korridorit VIII.
“Europa ka nevojë për projekte strategjike të mbrojtjes. Gjëja më e keqe është të fokusohemi te paqja individuale, në fakt duhet të shohim perspektivën”, u shpreh ai.
Duke folur për projektin e Porto Romanos, Van Cleve vlerësoi se ai është në zonë shumë strategjike për tregti strategjike.
“Distanca gjeografike nga Porto Romano te vendet e tjera është më e mirë se sa të hysh nëpërmjet Selanikut apo Athinës. Për më keq Athina kontrollohet nga kinezët. Pra është arsye gjeopolitike por edhe arsye gjeometrike në hartë po të shikosh distancat”, shtoi ai.
“Le të lidhemi së bashku, të plotësojmë ato hapësira boshe që ekzistojnë dhe ta bëjmë të mundur ekzistencën e kësaj strategjike përmes Ballkanit. Ka zona në Europën Lindore dhe Jugore që duhet të mbështeten se janë shumë të rëndësishme. Ne (SHBA) do të jemi miq të mirë në këtë proces”, tha ai.
