"Projekti strategjik që do të transformojë Ballkanin", Mucunski: Korridori 8, më shumë se një rrugë.
Ministri për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, deklaroi sot se Korridori VIII përfaqëson një platformë parësore politike dhe strategjike, që në momentin aktual gjeopolitik të Europës merr një vlerë edhe më të shtuar.
Në fjalën e tij në Ministerialin e Korridorit VIII, me temë “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: lidhshmëria, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”, që nisi punimet sot në Tiranë, Mucunski theksoi se takimi mbështetet drejtpërdrejt mbi dakordësinë e arritur në Brindisi mes Italisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ta shndërruar Korridorin VIII në një platformë prioritare politike, me synim avancimin drejt një mbështetjeje të qartë për zbatim konkret dhe praktik.
Ai kujtoi se në Brindisi vendet ranë dakord që Korridori VIII të shihet si një lidhje strategjike midis detit Adriatik, Jonit dhe Detit të Zi, si pjesë e një vizioni më të gjerë për përshpejtimin e integrimit në tregun e përbashkët europian.
Sipas tij, korridori ka vlerë të veçantë jo vetëm për lëvizshmërinë tregtare, por edhe për lëvizshmërinë ushtarake në kuadër të NATO-s dhe për kontekstin më të gjerë të Bashkimit Europian.
“Dy vite e gjysmë më vonë kjo nismë merr akoma më shumë vlerë dhe kërkon urgjencë më të madhe në zbatim”, u shpreh ai.
Mucunski theksoi se Korridori VIII shpesh përshkruhet si një rrugë apo hekurudhë, si një linjë në hartë, por në realitet ai lidhet me qëndresën, mundësinë për të lëvizur mallra dhe njerëz me siguri, parashikueshmëri dhe standarde të larta. Ai nënvizoi se korridori është thelbësor për rritjen e kapaciteteve kombëtare dhe për të shmangur ekspozimin ndaj alternativave që nuk përputhen me orientimin strategjik euroatlantik.
Duke u ndalur te roli i Maqedonisë së Veriut, ai theksoi se vendi ndodhet në zemër të këtij korridori dhe është i vetmi ku kryqëzohen Korridori VIII dhe Korridori X.
“Kjo gjeografi duhet të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët tanë: distanca më të shkurtra, kohë më të reduktuara transporti, kosto më të ulëta, konkurrencë më të lartë të kompanive dhe tërheqje më të madhe të investimeve”, deklaroi ai.
Sipas tij, për të garantuar që këto përfitime të zgjasin, korridori duhet të ndërtohet me standarde të mirëfillta europiane, në përputhje me rrjetet TEN-T dhe kërkesat e ndërveprueshmërisë.
Ministri theksoi gjithashtu dimensionin energjetik të Korridorit VIII, duke u shprehur se përgjatë së njëjtës gjeografi mund të forcohen lidhjet energjetike, të mbështetet stabiliteti i rrjeteve dhe të ndërtohet infrastrukturë që e bën tranzicionin energjetik më të qëndrueshëm.
“Goditjet energjetike janë tashmë goditje strategjike dhe vendet më të ndërlidhura rimëkëmben më shpejt dhe janë më të vështira për të ushtruar trysni”, tha ai.
Në planin e sigurisë, Mucunski theksoi se Korridori ka rëndësi strategjike edhe për mbrojtjen, pasi zbatimi i shpejtë kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ul hapësirën për ndikime destabilizuese, përfshirë sulme hibride dhe dezinformim. Ai vuri në dukje se Europa dhe NATO e kanë vendosur lëvizshmërinë në agjendë për arsye të qarta, pasi logjistika dhe infrastruktura janë elementë të gatishmërisë dhe sigurisë.
Sa i përket projekteve konkrete, ministri bëri të ditur se në nëntor 2025 është nënshkruar marrëveshja me Bullgarinë për tunelin hekurudhor, një element thelbësor për funksionimin e korridorit si një sistem i vetëm.
“Segmenti i parë i itinerarit hekurudhor lindor është përfunduar, segmenti i dytë është në ndërtim e sipër, ndërsa po punohet për segmentin e tretë, përfshirë tunelin e përbashkët dhe elektrifikimin”, informoi ai.
Në aspektin rrugor, ai theksoi se synimi është të lidhen segmentet e mbetura, duke e bërë korridorin funksional në tërësi. Sipas tij, mbështetja europiane është thelbësore, por vendet duhet të sigurojnë dokumentacion të plotë dhe projekte të financueshme.
“Korridori nuk gjykohet nga qëllimi, por nga funksionimi skaj më skaj. Porta hyrëse është po aq e rëndësishme sa pjesa qendrore dhe ajo dalëse”, u shpreh ai.
Mucunski theksoi rolin thelbësor të Shqipërisë dhe nevojën për të harmonizuar hapat në përputhje me ambiciet e përbashkëta europiane.
Ai nënvizoi se ndërlidhja nuk është vetëm beton, por edhe procedura efikase për menaxhimin e kufijve dhe lehtësimin e tregtisë, përmes rregullave të thjeshta që përshpejtojnë qarkullimin pa kompromentuar sigurinë. Në të kundërt, tha ai, vonesat dhe fragmentarizimi mund të çojnë në humbje të vlerave që mund të përfitojmë.
Ai theksoi se Korridori VIII nuk është thjesht një projekt transporti, por një projekt që përcakton se çfarë duam të jemi si rajon dhe në cilën Europë duam të trokasim.
“Rajoni duhet të prodhojë rezultate të prekshme për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë: më pak kohë, më pak kosto, më shumë mundësi, më shumë ndërlidhje dhe më pak cenueshmëri”, deklaroi ai.
Duke cituar Nënë Terezën, ai rikujtoi se mungesa e paqes vjen nga harrimi se i përkasim njëri-tjetrit, duke theksuar se Korridori VIII është një mundësi për të forcuar besimin dhe për të lidhur jo vetëm tregjet, por edhe të ardhmen e përbashkët.
“Nënë Tereza, shqiptare etnike që lindi në Shkup dhe e nderuar shumë përtej, thoshte dikur: “Fakti që nuk kemi paqe do të thotë se nuk kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”. Korridori VIII është një shans për të kujtuar dhe menduar në mënyrë praktike; ai i përket lidhjeve, lidhjet i përkasin besimit dhe zhvillimit, dhe i përket përbashkimit. Në këtë mënyrë, jo vetëm do të lidhim tregjet, por do të lidhim të ardhmen”, tha ai.
Ministri shprehu gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të mikpritur ministerialin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm, në frymë partneriteti dhe dialogu, së bashku me fqinjët bullgarë, si dëshmi se e ardhmja europiane ndërtohet përmes bashkëpunimit.
“Ne si komb ofrojmë të mikpresim ministerialin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm, por në frymën e partneritetit dhe dialogut, ta mikpresim së bashku me fqinjët tanë bullgarë, për të treguar se të qenurit europian nënkupton të punosh së bashku për të mirën e përbashkët”, u shpreh ministri për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski.

