“PARAJA RRËFEN” NË KOSOVË / Hapet në Prishtinë ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë

Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës u hap në Prishtinë ekspozita ‘Paraja rrëfen’, që sjell para publikut 100 vjet histori dhe ngjarje të parasë shqiptare. Ekspozita pasqyron lidhjet e forta mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit dhe do të qëndrojë e hapur nga 16 deri më 20 shkurt 2026 në ambientet e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, historia e parasë shqiptare është zhvendosur simbolikisht në Prishtinë përmes ekspozitës “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, ku Banka e Shqipërisë sjell para publikut një shekull shtet, ekonomi dhe besim publik.

Ekspozita u çel në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe shënon dy përvjetorë kyç të historisë financiare shqiptare, përfshirë 100-vjetorin e hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare, duke reflektuar lidhjet e forta mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, Kryeministri Albin Kurti dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, të cilët theksuan rolin e parasë dhe të bankave qendrore në garantimin e stabilitetit dhe besimit publik.

Guvernatori Sejko u shpreh se ekspozita tregon jo vetëm historinë e një institucioni, por edhe jetën e përditshme të qytetarëve, mënyrën se si kanë kursyer, janë paguar dhe kanë përballuar kriza ndër vite, ndërsa Ahmet Ismaili theksoi se ajo shpalos rrugëtimin e parasë nga standardi i arit deri te politikat moderne monetare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 deri më 20 shkurt 2026 në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në Prishtinë.