Rama: Do të rrisim pagat për të mbajtur talentin në shërbimin publik dhe jo te privatët
Kryeministri Edi Rama prezantoi Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se është dramatike fakti që në rastin e dosjes së “AKSHI” në vend të funksionoj prezumimi i pavarësisë, funksionon e kundërta.
Rama u shpreh gjithashtu se pa punën e bërë nga AKSHI, “Shqipëria do të kthehej në epokën e gurit”
“Nëse mbi AKSHI ka një hetim, në një botë të drejtë të gjithë duhet të prezumoheshin të pa fajshëm, ndërsa ata prezumohen të fajshëm. Ky është një moment i vështirë, disa nga ju këtu janë UFO, jetojnë me ekranin e kompjuterin dhe kur përballen me realitetin mund të ndjehen të çorientuar.
Bashkë me ministren kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion të rrisim pagat duke ju thënë se ju kemi të shtrenjtë e të çmuar e nuk duam të braktisni shërbimin publik, nuk duam që talentin tuaj ta vini në shërbim të privatit. Duam të besoni se kjo është shtëpia juaj nga ku lehtësoni jetën e kaq shumë njerëzve.
Linda e ka hapur derën e AKSHI, AKSHI kishte një emër që nuk i thoshte asgjë askujt. Sot AKSHI ka përdorues të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit përmes eAlbania-s.
Fatkeqësi e madhe që emri i AKSHI të njolloset, por nga ana tjetër nuk mund të themi që për shkak të transformimit dhe barrës që mbani, AKSHI është i pa hetueshëm. Këtë nuk e pretendojmë dot. Nëse “fiken dritat” e kësaj shtëpie, Shqipëria do të kthehej në epokën e gurit”, tha ai.

