RRITEN FITIMET E BANKAVE! 239 miliardë lekë të ardhura nga interesat e kredive në 2025

Bankat në Shqipëri rritën të ardhurat gjatë vitit 2025, të nxitura nga interesi i kredive dhe nga tarifat bankare, ndërsa shpenzimet mbetën të kontrolluara, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë

Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri arkëtuan mbi 239 miliardë lekë nga interesi i kredive të dhëna  përgjatë gjithë vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues rezulton në rritje me 2.3% krahasuar me vitin 2024.

Ndërkohë fitimi nga gjobat dhe komisionet që mbajnë bankat kur kryejmë transaksione arriti në 51.8 miliardë lekë total.

Këto të ardhura janë rritur me rreth 13.6% krahasuar me 45.6 miliardë lekë që ishin në vitin 2024.

Kjo tregon qartë se shërbimet bankare dhe tarifat e arkëtueshme mbeten një burim i fortë fitimi, përtej kredive tradicionale.

Totali i shpenzimeve të bankave shqiptare për vitin 2025 arriti 193.4 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe shkuan për shpenzime jo nga interesi, përfshirë pagat e personelit dhe shpenzimet e tjera operative.

Ndërsa shpenzimet për interes dhe provigjonet për kreditë e humbura përbënin pjesën tjetër të kostos totale.

Ky rezultat tregon jo vetëm rritjen e të ardhurave nga interesi, por edhe diversifikimin e burimeve të fitimit dhe menaxhimin efikas të shpenzimeve, duke e bërë sektorin bankar shqiptar më të qëndrueshëm.