Immanuel Kant, filozofi që u mbush me admirim nga “qielli me yje sipër meje dhe ligji moral brenda meje”

222 vite më parë, më 12 shkurt 1804, u shua në Königsberg një nga mendjet më të fuqishme që ka prodhuar ndonjëherë Europa, Immanuel Kant.

Në moshën 80-vjeçare ai la pas jo thjesht një korpus veprash, por një arkitekturë të re të mendimit, një kthesë paradigmatike që e ndryshoi përfundimisht mënyrën se si filozofia e kupton njohjen, moralin dhe vetë njeriun.

Kanti konsiderohet figura qendrore e filozofisë klasike gjermane, por ndikimi i tij tejkalon epokën dhe rrymat. Ai shtrihet mbi metafizikën dhe epistemologjinë, mbi etikën dhe filozofinë politike, mbi estetikën dhe filozofinë e fesë. Në çdo fushë ku mendimi përpiqet të kuptojë kufijtë dhe mundësitë e arsyes, aty qëndron hija e Kant-it.

Kontributi më i madh i Kant-it, ai që me të drejtë quhet “revolucioni kopernikan” në filozofi, qëndron në përmbysjen e raportit klasik midis subjektit dhe objektit. Para tij, filozofia supozonte se njohja duhet t’u përshtatet objekteve; mendja ishte, në thelb, një pasqyrë që reflektonte botën.

Ai argumentoi se janë pikërisht format a priori të mendjes, hapësira dhe koha si forma të intuitës, si dhe kategoritë e arsyes (si kauzaliteti, substanca, njëshmëria etj.) ato që strukturojnë përvojën. Objektet, siç i njohim ne, janë të mundshme vetëm sepse mendja i organizon ato sipas këtyre strukturave.

Nuk është mendja që i përshtatet botës; është bota e përvojës që paraqitet sipas mënyrës se si mendja e kushtëzon.

Në këtë kuptim, mendja njerëzore nuk është një pritëse pasive e perceptimeve, por një instancë aktive, një ligjvënëse e përvojës. Kanti shpalli kështu autonominë strukturuese të subjektit, një akt që i dha dinjitet të ri arsyes, por njëkohësisht i vendosi asaj kufij të qartë.

Sistemi i Kant-it njihet si filozofi kritike ose kritikë transcendentale, sepse ai nuk synon të ndërtojë një metafizikë të re dogmatike, por të shqyrtojë kushtet e mundësisë së njohjes. Pyetja e tij nuk është: “Çfarë është bota në vetvete?”, por: “Si është e mundur që ne ta njohim botën?”

Këtu lind dallimi i famshëm midis, fenomenit, sipas të cilit bota siç na shfaqet përmes strukturave tona njohëse. Për të cekur te noumenit (gjëja-në-vete), realiteti siç është në vetvete, përtej përvojës sonë.

Sipas tij noumeni nuk është objekt njohjeje, por një kufi konceptual. Në këtë pikë, mendimi i Kant-it priret drejt një lloj agnosticizmi filozofik në teologji, Zoti, liria dhe pavdekësia nuk mund të provohen teorikisht. Megjithatë, ato kanë statusin e postulateve të arsyes praktike, domethënë janë të domosdoshme për jetën morale.

Kështu, në vend të një teologjie dogmatike, Kanti mbështet një fe të arsyes, një krishterim të depastruar nga pretendimet metafizike spekulative, të vendosur mbi bazën e moralit dhe autonomisë.

Në etikë, Kant-i themeloi një nga sistemet më të fuqishme normative në historinë e mendimit është imperativin kategorik. Parimi i tij themelor është, vepro vetëm sipas atij parimit që mund të duash të bëhet ligj universal.

Morali nuk buron nga pasojat, as nga ndjenjat, por nga detyra dhe nga autonomia e arsyes. Njeriu është qëllim në vetvete, kurrë mjet. Ky formulim e vendos dinjitetin njerëzor në qendër të etikës moderne dhe ka ndikuar thellësisht në konceptet bashkëkohore të të drejtave të njeriut dhe shtetit juridik.

Fjala e tij e famshme sintetizon gjithë universin e tij moral, sipas të cilave, “Dy gjëra më mbushin me admirim gjithnjë e më të madh, qielli me yje sipër meje dhe ligji moral brenda meje.”

Këtu bashkohen kozmologjia dhe etika, pafundësia e jashtme dhe thellësia e brendshme.

Jeta e Kant-it ishte pothuajse asketike në rregullsinë e saj. Ai rrallë largohej nga Königsberg-u; orari i tij ishte aq i saktë sa banorët e qytetit rregullonin orët sipas shëtitjes së tij të përditshme.

Ai i kushtonte rëndësi paraqitjes, vishej me elegancë dhe kujdesej për etikën e formës po aq sa për etikën e mendimit. Anekdota e njohur me zonjën që e spërkati me ujë ndërsa po ujiste lulet është zbuluese, zemërimi i tij i menjëhershëm dhe më pas qetësimi, dialogu i shkurtër plot ironi, tregojnë se edhe mendja më sistematike mbetet njerëzore.

Po aq njerëzore është edhe historia e dorëshkrimit të tij pothuajse të palexueshëm. Kur nxënësi i kërkoi ndihmë për një fjali të padeshifrueshme, Kant-i u përgjigj me humor, “Kur i shkrova këto rreshta, vetëm unë dhe Zoti mund t’i lexonim. Tani vetëm Zoti.”

Një vetëdije ironike për kufijtë e vetes, në përputhje të plotë me filozofinë e tij për kufijtë e arsyes.

Pas vdekjes së tij në vitin 1804, filozofia evropiane nuk ishte më e njëjta. Idealizmi gjerman (Fichte, Schelling, Hegel) u ngrit mbi terrenin që ai hapi. Debatet bashkëkohore mbi strukturat e ndërgjegjes, mbi normativitetin moral, mbi autonominë politike dhe mbi estetikën moderne vazhdojnë të dialogojnë me Kant-in.

Ai i mësoi mendimit perëndimor një disiplinë themelore, të njohë kufijtë e vet. Por paradoksalisht, duke i vendosur kufij arsyes, ai e fuqizoi atë më shumë se kushdo.

Në fund, Kant-i nuk na la vetëm një sistem filozofik; ai na la një qëndrim, të mendojmë me guxim, por me përgjegjësi; të besojmë jo nga frika, por nga autonomia; të kërkojmë të vërtetën pa pretenduar se e zotërojmë atë plotësisht.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, edhe 222 vite pas vdekjes së tij, mendimi i tij mbetet i gjallë, si qielli me yje mbi ne, dhe si ligji moral brenda nesh.

Përgatiti: Albert Vataj