Pushkin, poeti që vdiq për dashuri dhe nder
Më 10 shkurt të vitit 1837, një vdekje tronditi e përloti miliona njerëz edhe pse ajo qe në pajtim të plotë me epokën kur ai jetoi, me intrigat e urrejtjet e kohës, me mentalitetet e saj, me kryelartësinë dhe konceptin që edhe ai, si pjesë e asaj kohe, kishte për nderin e moralin.
Ja përse edhe sot, brezat, me shumë të drejtë mallkojnë ditën kur ai njohu në shtëpinë e Karamzinëve, kolonelin emigrant francez Xhorxh D`Antes dhe i mundon dilema për thesaret që do të kishin ndër duar, sikur ai plumb fatal, por gjithsesi historik, nuk do të priste në mes jetën e kryemjeshtrit të dashurisë, në atë duel të panevojshëm, atje në rrugën e Pargolovos, pranë fshatit Odojevski.
Asnjëherë, një plumb i vetëm nuk kishte bërë dëm më të madh, sesa ai që shtriu përdhe të vetmin njeri të gjallë që mund të matej me vetë Kupidonin. Se po të parafrazojmë Ciceronin edhe Kupidoni në qoftë se do të mund të fliste, do të fliste vetëm kështu.
Legjislatorin e dashurisë së sinqertë dhe pasionante, e vrau dora e pabesisë, e bashkë me të, u shuan përgjithmonë dhe humbën për të mos i parë askush, perla pambarimisht të shkëlqyera që prisnin radhë të merrnin jetë në mendjen dhe zemrën e poetit.
