VIDEO/ Naxhi dhe Glon Bakalli, një arratisje krijuese mes pikturës dhe arkitekturës
Një arratisje nga arti krijues i pikturës te arkitektura moderne përcolli sot podkasti “Flasim” ku të ftuar ishin piktori i mirënjohur Naxhi Bakalli dhe arkitekti Glon Bakalli.
Në një bashkëbisedim me kryeministrin Edi Rama, dy të ftuarit, babë e bir, erdhën në një rrëfim përmes ngjyrave dhe formave, që përcjell memorien e artit krijues.
Si një krijues në kërkim të së panjohurës, piktori Naxhi Bakalli ka krijuar një stil simbolik, duke u mbështetur në artin tradicional dhe folklorik, që shërben si gurrë e pashtershme për krijuesin.
Ndërsa Glon Bakalli, një nga arkitektët më të mirë shqiptarë tregoi kapërcimin nga piktura te arkitektura.
Si një nga piktorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, Naxhi Bakalli ka në koleksionin e tij edhe vizatimet për legjendat dhe gojëdhënat, si ato që paraqesin “Gjergj Elez Alinë”, “Kështjellën e Rozafës”, “Tomorri dhe Shpiragu”, “Sopoti” e të tjera.
Nga viti 1977 e deri sot, ai është autor i më shumë se 50 serive pullash, të cilat janë të koleksionuara dhe në qarkullim në të gjithë botën.
Në vitin 1980, Naxhi Bakalli fitoi konkursin kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut për muralen e Muzeut të Krujës. Ai krijon “Përballimin” duke sjellë bëmat e Skënderbeut. Katër vite me vonë ai realizoi muralen kushtuar Kuvendit të Dukagjinit për Muzeun e Burrelit.

