Bertrand Russell i përgjigjet pyetjes: Pse një Zot gjithëdashës lejon të keqen dhe vuajtjen?
Frika për t'u përfshirë në këtë debat është më torturuese se dhimbja, me të cilën duhet të ndeshemi me këtë papajtueshmëri të patimeve dhe pashmangshmëri të së keqes, pavarësisht krijimit të vetes sonë si një shëlbesë dhe shërbesë ndaj autoritet hyjnor dhe detyresave që rrjedhojnë në përputhje me devocionin, përulësinë dhe sakrificën, që i blatojmë të drejtës për të jetuar nën sovranitet të purifikuar shpirtëror.
Ka pyetje që nuk lindin në tryezat e traktateve, por në skajet e britmës njerëzore. Problemi i së Keqes nuk është thjesht një formulë silogjistike, ai është një plagë metafizike që kërkon përgjigje. Kur filozofia e fesë e formulon këtë paradoks në termat e omnipotencës, omnisciencës dhe omnibenevolencës, ajo nuk bën gjë tjetër veçse i jep strukturë racionale një tronditjeje shumë më të thellë, si mund të bashkëjetojë dhimbja me dashurinë absolute? Si mund të përputhet pafajësia e fëmijës me një rend të qeverisur nga një vullnet i përkryer?
Bertrand Russell e artikulon këtë tension me një qartësi të pamëshirshme morale, duke e zhveshur apologjetikën tradicionale nga ngushëllimet e saj teologjike. Argumenti i tij nuk është vetëm kritikë logjike, ai është një akuzë etike. Ai sfidon vetëdijen fetare që, për të shpëtuar konceptin e Zotit, rrezikon të relativizojë vuajtjen. Në këtë pikë, Problemi i së Keqes nuk mbetet më një debat abstrakt mbi koherencën e atributeve hyjnore. Ai bëhet një gjyq mbi ndërgjegjen njerëzore. Sepse mënyra si e justifikojmë dhimbjen, apo si refuzojmë ta justifikojmë, zbulon jo vetëm konceptin tonë për Zotin, por edhe konceptin tonë për të mirën.
Forma logjike e problemit synon të demonstrojë një kontradiktë të brendshme midis ekzistencës së një Zoti me atribute absolute dhe faktit empirik të së keqes. Forma evidenciale, më modeste në pretendim por më e fortë në ndikim, argumenton nga shkalla dhe intensiteti i vuajtjes reale. Ndërsa forma përjetimore e çon debatin nga niveli i argumentit në nivelin e përballjes, aty ku epidemitë, luftërat dhe fatkeqësitë natyrore nuk janë më premisa, por përvoja që çajnë besimin. Në këtë trini, logjike, evidenciale, ekzistenciale, problemi i së Keqes bëhet një nga nyjat më të forta të mendimit metafizik perëndimor.

Pse një Zot gjithëdashës lejon të keqen dhe vuajtjen? Në filozofinë e fesë, ky paradoks njihet si Problemi i së Keqes. Ai shërben shpesh si justifikimi kryesor për skepticizmin ndaj ekzistencës së hyjnisë judeo-krishtero-islame.
Bertrand Russell në "Has Religion Made Useful Contributions to Civilization?" (1930) shpjegon se:
“Bota, na thuhet, u krijua nga një Zot që është njëkohësisht gjithëdashës (omnipërmirësues) dhe gjithëfuqishëm (omnipotent). Para se ta krijonte botën, Ai parashikoi të gjithë dhimbjen dhe mjerimin që ajo do të përmbante; prandaj Ai është përgjegjës për të gjitha. Është e kotë të argumentohet se dhimbja në botë është pasojë e mëkatit.
Së pari, kjo nuk është e vërtetë; nuk është mëkati ai që bën që lumenjtë të dalin nga shtrati apo që vullkanet të shpërthejnë. Por edhe nëse do të ishte e vërtetë, kjo nuk do të bënte asnjë ndryshim.
Nëse do të sillja në jetë një fëmijë duke e ditur se ai do të bëhej një maniak vrasës, unë do të isha përgjegjës për krimet e tij.
Nëse Zoti i dinte paraprakisht mëkatet për të cilat njeriu do të ishte fajtor, Ai ishte qartësisht përgjegjës për të gjitha pasojat e atyre mëkateve kur vendosi ta krijonte njeriun.
Argumenti i zakonshëm i krishterë është se vuajtja në botë është një pastrim për mëkatin dhe, për rrjedhojë, një gjë e mirë.
Ky argument, natyrisht, është vetëm një racionalizim i sadizmit, por në çdo rast është një argument shumë i dobët. Unë do të ftoja çdo të krishterë të më shoqëronte në pavijonin e fëmijëve të një spitali, të shihte vuajtjen që përjetohet atje, dhe pastaj të këmbëngulte në pohimin se ata fëmijë janë moralisht aq të degjeneruar sa ta meritojnë atë që po vuajnë.
Për ta thënë këtë, njeriu duhet të shkatërrojë brenda vetes çdo ndjenjë mëshire dhe dhembshurie. Ai duhet, me pak fjalë, ta bëjë veten po aq mizor sa Zoti në të cilin beson. Asnjë njeri që beson se gjithçka është për më të mirën në këtë botë plot vuajtje nuk mund t’i ruajë të paprekura vlerat e tij etike, sepse ai detyrohet vazhdimisht të gjejë justifikime për dhimbjen dhe mjerimin.”
Në filozofinë e fesë, Problemi i së Keqes është çështja se si mund të pajtohet ekzistenca e së keqes me ekzistencën e një hyjnie që, në kuptim absolut ose relativ, është gjithëfuqishme (omnipotente), gjithëdijshme (omnisciente) dhe gjithëdashëse (omnibenevolente). Ekzistenca e së keqes duket se bie ndesh me një Zot të tillë.
Problemi zakonisht formulohet në dy mënyra, problemi logjik i së keqes dhe problemi evidencial i së keqes.
Forma logjike synon të tregojë pamundësinë logjike të bashkëjetesës së Zotit dhe së keqes.
Forma evidenciale synon të tregojë se, duke pasur parasysh shkallën dhe intensitetin e së keqes në botë, është e pamundur ose tepër e pamundur që të ekzistojë një Zot gjithëfuqishëm, gjithëdijshëm dhe plotësisht i mirë.
Në përfundim, shpesh konkludohet se një hyjni me këto atribute nuk ekziston.
Problemi logjik i së Keqes.
P1. Nëse ekziston një Zot gjithëfuqishëm, gjithëdashës dhe gjithëdijshëm, atëherë e keqja nuk ekziston.
E keqja ekziston në botë.
Prandaj, një Zot gjithëfuqishëm, gjithëdashës dhe gjithëdijshëm NUK EKZISTON.
Problemi evidencial i së Keqes.
Ekzistojnë raste vuajtjeje të thellë që një qenie gjithëfuqishme dhe gjithëdijshme mund t’i kishte parandaluar pa humbur ndonjë të mirë më të madhe apo pa lejuar ndonjë të keqe po aq të madhe ose më të madhe.
Një qenie gjithëdijshme dhe plotësisht e mirë do ta parandalonte çdo vuajtje të tillë, nëse mund ta bënte këtë pa humbur ndonjë të mirë më të madhe apo pa lejuar ndonjë të keqe po aq të madhe ose më të madhe.
NUK EKZISTON një Zot gjithëfuqishëm, gjithëdijshëm dhe plotësisht i mirë.
Forma e tretë, problemi përjetimor i së Keqes.
Një formë e tretë është problemi përjetimor i së keqes. Vështirësia për të besuar në një Zot dashamirës kur përballesh drejtpërdrejt me të keqen dhe vuajtjen në botën reale, si epidemitë, luftërat, vrasjet dhe katastrofat natyrore, ku viktima bëhen njerëz të pafajshëm.
Problemi i së keqes është zgjeruar edhe përtej njeriut, duke përfshirë vuajtjen e kafshëve nga e keqja natyrore (si grabitja dhe sëmundjet), si edhe mizorinë njerëzore ndaj tyre.
Ndoshta forca më e madhe e këtij problemi nuk qëndron në përfundimin që ofron, por në tensionin që ruan. Sepse nëse mohojmë Zotin për shkak të së keqes, duhet të pyesim, mbi çfarë themeli ngremë gjykimin tonë se e keqja është realisht e papranueshme? Nëse e mbrojmë Zotin duke relativizuar vuajtjen, rrezikojmë të shkatërrojmë vetë ndjeshmërinë morale që e bën problemin të mundur. Kështu, çdo pozicion mbart një kosto ontologjike dhe etike.
Problemi i së Keqes mbetet, pra, një provë e dyfishtë, për teizmin dhe për ateizmin, për besimin dhe për skepticizmin. Ai na detyron të zgjedhim midis një universi që ka kuptim por përmban dhimbje, dhe një universi që mund të jetë pa Zot, por ku kuptimi moral duhet të rindërtohet pa transcendencë. Në fund, çështja nuk është vetëm nëse Zoti ekziston, por çfarë lloj bote jemi të gatshëm të pranojmë, dhe çfarë lloj qenieje jemi të gatshëm të bëhemi, përballë vuajtjes.
Sepse ndoshta misteri më i thellë nuk është pse ekziston e keqja, por pse ne nuk reshtim së protestuari kundër saj. Dhe në këtë protestë, qoftë si lutje, qoftë si akuzë, fshihet vetë dinjiteti i mendimit njerëzor.
Përgatiti: Albert Vataj


