Çfarë do të thotë të sfidosh përmes dashurisë, sipas Arundhati Roy?
Të kuptuarit dhe lartësuarit të një prej sprovave më të fuqishme ekzistencialiste, të pranuarit të dashurisë si forcën qendrore e sfidës, vjen nga Arundhati Roy, në "Kostoja e të jetuarit" si qasje e komunikimit me lexuesit, përmes një rravëgimi të fuqishëm shprehës, një ndijimi të thellë dhe shpërthimi të dritshëm të shpirtit përmes fjalëve.
Ajo shkruan:
“Të duash.
Të jesh i dashuruar.
Po të dashurosh...
Për të mos harruar kurrë parëndësinë tuaj.
Për të mos u mësuar kurrë me dhunën e papërshkrueshme dhe pabarazinë vulgare të jetës rreth jush.
Për të kërkuar gëzimin në vendet më të trishtuara.
Për të ndjekur bukurinë në strofkën e saj.
Për të mos thjeshtuar kurrë atë që është e ndërlikuar apo komplikuar atë që është e thjeshtë.
Të respektosh forcën, kurrë fuqinë.
Mbi të gjitha, për të parë. Për të provuar dhe kuptuar. Për të mos parë kurrë larg. Dhe kurrë, kurrë për të mos harruar.”
Ajo nuk e trajton dashurinë si një emocion të thjeshtë, por si një mënyrë të të jetuarit, një forcë që i jep kuptim ekzistencës dhe që na ndihmon të mos e pranojmë si normale dhunën dhe pabarazinë që na rrethon. Në këtë kuptim, mesazhi i saj nuk është thjesht estetik, por thellësisht etik dhe politik.
Arundhati Roy, në librin e saj "Kostoja e të jetuarit", ndërton një tempull zëshmërie të shpirtit që shquhet për ndjeshmërinë e thellë, forcën poetike dhe përthyerjen filozofike të fjalës. Ajo nuk i drejtohet lexuesit me fjalë të thata apo argumente të zakonshme, por e zhyt atë në një përvojë të fuqishme ndijimore dhe emocionale. Çdo fjali që ajo ndërton është e ngarkuar me një domethënie që shkon përtej ligjërimit, duke u shndërruar në një udhërrëfyes etik dhe estetik për mënyrën se si e përjetojmë dhe e kuptojmë botën.
Fragmenti i cituar, një reflektim mbi dashurinë, ndërgjegjen dhe detyrimin moral për të mos harruar, është një manifest i jetës së ndërgjegjshme.
Roy e përdor gjuhën jo vetëm për të shprehur mendime, por për të krijuar një dialog të brendshëm te lexuesi, duke e bërë atë të reflektojë mbi vlerat themelore të ekzistencës. Struktura e ligjëratës së saj është ndërtuar mbi përsëritjen ritmike të formave verbale, të duash, të jesh i dashuruar, të dashurosh, duke e vendosur ndjenjën në qendër të kuptimit të jetës.
Duke përdorur një sintaksë të lirshme, të përbërë nga fjali të shkurtra e të fuqishme, Roy e bën ligjëratën e saj të ndihet si një poezi, një psalm modern i ndërgjegjes. Fjalitë e saj nuk janë vetëm pohime, por edhe thirrje për veprim. Ajo i bën lexuesit një ftesë për të mos humbur kurrë ndjeshmërinë, për të mos u bërë indiferentë ndaj padrejtësisë dhe për të kërkuar bukurinë edhe në vendet më të errëta të ekzistencës përmes dashurisë.
Veçanërisht e fuqishme është përmbyllja: "Mbi të gjitha, për të parë. Për të provuar dhe kuptuar. Për të mos parë kurrë larg. Dhe kurrë, kurrë për të mos harruar.” Ky kulm retorik funksionon si një betim i heshtur, një kërkesë për vigjilencë morale dhe një kujtesë për të mbetur gjithmonë të vëmendshëm ndaj realitetit. Kjo qasje nuk është vetëm një mënyrë komunikimi, por një formë qëndrese dhe një mënyrë për të jetuar me ndërgjegje të plotë.
Në tërësi, persiatja e Arundhati Roy nuk është një thjeshtësim i realitetit, por një përpjekje për ta kuptuar atë në të gjithë ndërlikimet e tij. Ajo nuk kërkon të japë përgjigje të lehta, por të zgjojë tek lexuesi pyetje të thella. Përmes kësaj forme të të shkruarit, Roy nuk na thotë thjesht se si të jetojmë, por na fton të jemi të vetëdijshëm, të ndjeshëm dhe të pranishëm në botën tonë, pa harruar kurrë përgjegjësinë që kemi ndaj saj.
Përgatiti: Albert Vataj

