Meloni e konfirmon nga Etiopia: Italia do t’i bashkohet Bordit të Paqes si vend vëzhgues
Italia po planifikon të marrë pjesë në Bordin e Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump si vend vëzhgues, njoftoi sot kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një vizite në kryeqytetin etiopian, Adis Ababa.
Udhëheqësja italiane tha më herët se Italia nuk mund të bëhej anëtare e këtij organi për arsye kushtetuese.
Meloni, e cila ruan marrëdhënie të mira me Trump, tha se Uashingtoni ka ftuar Italinë t’i bashkohet bordit si vend vëzhgues, gjë që ajo e përshkroi si “një zgjidhje të mirë”.
“Duke pasur parasysh të gjithë punën që duhet bërë për të stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme, një prani italiane dhe evropiane mbetet e rëndësishme”, theksoi Meloni.
Trump, prezantoi zyrtarisht Bordin e Paqes, muajin e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Fillimisht, i konceptuar për të mbikëqyrur rindërtimin e Rripit të Gazës, ambiciet e këtij organi tani janë të paqarta, ndersa Trump ka sugjeruar se ai mund të përdoret edhe për të adresuar konfliktet dhe krizat në mbarë botën.
Shumë vende evropiane e shohin këtë organ si një përpjekje për të minuar Kombet e Bashkuara dhe kanë refuzuar të bashkohen.
Bullgaria dhe Hungaria janë të vetmet vende të Bashkimit Evropian që i janë bashkuar “Bordit të Paqes” për Gazën, të udhëhequr nga SHBA-ja.
Të dy vendet konfirmuan pjesëmarrjen e tyre, që synon rindërtimin pas konfliktit dhe menaxhimin e Rripit të Gazës, si pjesë e një paneli prej 27 vendesh.

