DONIN TË “RRËZONIN” PAPËN! Steve Bannon dhe Epstein diskutuan strategji kundër Françeskut: Më mirë të sundosh në Ferr sesa të shërbesh në Parajsë

Steve Bannon kërkoi mbështetjen e Jeffrey Epstein në përpjekjet e tij për të rrëzuar Papa Françeskun, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Komunikimet zbulojnë diskutime për një strategji politike dhe qëndrime të hapura kundër Atit të Shenjtë.

Steve Bannon, ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për presidentin amerikan Donald Trump, diskutoi strategji me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein kundër Papa Françeskut, duke shpresuar ta “rrëzonte” pontifikun, sipas dosjeve të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Mesazhet e vitit 2019 tregojnë se Bannon kërkoi mbështetjen e financierit tashmë të vdekur në përpjekjet për të minuar publikisht figurën e ish-kreun e Kishës Katolike.

Ai e shihte Françeskun si kundërshtar të vizionit të tij “sovranist”, një formë populizmi nacionalist që u përhap në Europë gjatë viteve 2018–2019.

Dokumentet sugjerojnë gjithashtu se Epstein po e ndihmonte Bannonin në ndërtimin e lëvizjes së tij politike.

“Do ta rrëzojmë (Papa) Françeskun,” i shkroi Bannon Epsteinit në qershor 2019.

“Clintonët, Xi, Françesku, BE-ja – hajde vëlla,” thuhet në një mesazh.

Sipas dokumenteve, Bannon përmend edhe librin “Në dollapin e Vatikanit”, botim i vitit 2019 i gazetarit francez Frédéric Martel, që trajton fshehtësinë dhe hipokrizinë në nivelet e larta të kishës.

 Ai shfaqi interes për ta kthyer librin në film dhe sugjeroi që Epstein të ishte producent ekzekutiv i projektit:

“Tani je producent ekzekutiv i ‘ITCOTV’ (In the Closet of the Vatican),” i shkroi ai.

Dosjet tregojnë gjithashtu se Bannon vazhdoi t’i dërgonte mesazhe Epstein-it disa vite pas dënimit të tij për krime seksuale ndaj të miturve dhe pak para arrestimit për trafikim seksual.

Në një tjetër shkëmbim mesazhesh, pasi mori një artikull për dënimin e “nacionalizmit populist” nga Vatikani, Epstein citoi vargjet e poemës “Parajsa e Humbur”:“Më mirë të sundosh në Ferr sesa të shërbesh në Parajsë.”