TRUMP, “MAT” AJATOLLAHUT! Presidenti i SHBA: Ndryshimi i pushtetit në Iran, do ishte më e mira
Donald Trump i ka dhënë “mat” diplomatik udhëheqësve të Iranit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu rikthye deklaratave për ndryshim të pushtetit në republikën Islamike, ndërkohë që ka vendosur në rajon dy aeroplan mbajtëse.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një ndryshim i pushtetit në Iran “do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, duke rritur tonet ndaj udhëheqjes në Teheran në një moment tensionesh të larta mes Uashgtonit dhe Terehanit.
Trump paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje të re do të ketë pasoja, ndërsa vendimi për dërgimin në rajon të një aeroplanmbajtëseje të dytë amerikane, përfshirë edhe USS Gerald R. Ford, shihet si sinjal i qartë presioni strategjik ndaj Iranit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, prioritet mbetet kufizimi i programit bërthamor iranian, por Uashingtoni kërkon gjithashtu kufizime mbi programin e raketave balistike dhe mbështetjen e Teheranit për grupet e armatosura në rajon.
Negociatat indirekte të zhvilluara në Oman nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, ndërsa aleatët rajonalë paralajmërojnë për rrezikun e një përshkallëzimi të ri ushtarak, në një kohë kur prania e dy aeroplanmbajtëseve amerikane në Lindjen e Mesme rrit ndjeshëm kapacitetin ushtarak të SHBA-së.
Ndërkohë, situata brenda Iranit mbetet e tensionuar pas protestave mbarëkombëtare të muajit të kaluar, të cilat u shtypën me forcë nga autoritetet.
Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë mijëra viktima dhe dhjetëra mijëra të arrestuar, ndërsa familjet e të vrarëve kanë nisur ceremonitë tradicionale të 40-ditëshit të zisë. Qeveria iraniane i ka cilësuar protestuesit “terroristë” dhe ka paralajmëruar ndëshkime të shpejta.
Sipas raportimeve, forcat e sigurisë kanë ngritur një rrjet të gjerë ndjekjeje që përfshin përdorimin e kamerave të qyteteve, dronëve dhe monitorimin e komunikimeve për identifikimin e pjesëmarrësve në protesta.
Arrestimet kryhen shpesh gjatë natës, ndërsa shumë të ndaluar mbahen pa kontakt me familjarët apo avokatët, duke e vendosur vendin përballë një prej momenteve më të ndjeshme politike të viteve të fundit.

