Rubio mesazhe të forta nga Mynihu: Migrimi masiv po “destabilizon” Perëndimin! SHBA-ja dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës! OKB-ja nuk luan “asnjë rol” në zgjidhjen e konflikteve
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i është drejtuar sot Konferencës së Sigurisë në Mynih, në një kohë kur marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të tensionuara – dhe një ditë pasi kancelari gjerman Friedrich Merz hapi takimin vjetor me një thirrje për të “riparuar dhe ringjallur besimin transatlantik”, sipas “France24”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka kritikuar qeveritë evropiane për politikat e tyre të migracionit, duke thënë se Perëndimi po “destabilizohet” nga ndikimi i migrimit në shkallë të gjerë.
“Migrimi masiv nuk është, nuk ishte, një shqetësim i vogël me pak rëndësi. Ishte dhe vazhdon të jetë një krizë që po transformon dhe destabilizon shoqëritë në të gjithë Perëndimin”, tha sot Rubio në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa duhet të jenë të palëkundura në trashëgiminë tonë”, tha diplomati i lartë amerikan – duke shtuar se kultura dhe historia perëndimore ishin unike, dalluese dhe të pazëvendësueshme.
“Rigjallërimi i lidhjeve transatlantike bazuar në trashëgiminë e përbashkët do të pengojë forcat e zhdukjes së qytetërimit që sot kërcënojnë si Amerikën ashtu edhe Evropën”, shtoi Rubio.
SHBA-ja dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio e ka filluar fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih – duke vlerësuar aleancën e SHBA-së me Evropën.
“SHBA-ja dhe Evropa i përkasin njëra-tjetrës. SHBA-ja deshiron të shohë një Evropë të fortë”, tha Rubio.
“Fati ynë është dhe do të jetë gjithmonë i ndërthurur me tuajin, sepse e dimë se fati i Evropës nuk do të jetë kurrë i parëndësishëm për sigurinë tonë kombëtare”, theksoi ai.
SHBA-ja nën drejtimin e Trump dëshiron të udhëheqë ripërtëritjen globale
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e presidentit Donald Trump dëshirojnë të udhëheqin ripërtëritjen dhe restaurimin global”, tha Rubio në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“SHBA-ja udhëhiqet nga një vizion i një të ardhmeje aq krenare, aq sovrane dhe aq jetësore sa e kaluara e qytetërimit tonë”, shtoi diplomati më i lartë amerikan.
“Dhe ndërsa jemi të përgatitur, nëse është e nevojshme ta bëjmë këtë vetëm, është preferenca jonë dhe shpresojmë ta bëjmë këtë së bashku me ju, miqtë tanë këtu në Evropë”, tha Rubio.
SHBA-ja synon të rigjallërojë aleancën me Evropën
Duke hedhur poshtë idenë e fundit të epokës transatlantike, Rubio tha se kjo nuk ishte as qëllimi dhe as dëshira e SHBA-së.
“SHBA-ja nuk kërkon të ndahet nga Evropa, por synon të rigjallërojë aleancën me të”, shton ai.
“Ne nuk kërkojmë të ndahemi, por të rigjallërojmë një miqësi të vjetër dhe të ripërtërijmë qytetërimin më të madh në historinë e njerëzimit”, theksoi Rubio.
OKB-ja nuk luan “asnjë rol” në zgjidhjen e konflikteve
Duke iu drejtuar Kombeve të Bashkuara, sekretari amerikan deklaroi se ky organ botëror nuk kishte luajtur, pothuajse asnjë rol në zgjidhjen e konflikteve.
“Kombet e Bashkuara ende kanë potencial të jashtëzakonshëm për të qenë një mjet për të mirën në botë”, theksoi Rubio.
“Por, nuk mund ta shpërfillim këtë fakt, sot, për çështjet më urgjente që kemi përpara. OKB-ja nuk ka përgjigje dhe nuk ka luajtur praktikisht asnjë rol. Nuk mund ta zgjidhte dot luftën në Gaza”, shtoi diplomati i lartë amerikan.
SHBA-ja nuk e di nëse Rusia është “serioze” në lidhje me paqen në Ukrainë
Në një seancë pyetje-përgjigje pas fjalimit të tij 20-minutësh, Rubio tha se administrata Trump do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e paqes në Ukrainë.
I pyetur në lidhje me angazhimin e Moskës ndaj bisedimeve të paqes, diplomati më i lartë amerikan tha se Uashingtoni nuk e dinte nëse Rusia ishte “serioze” në lidhje me përfundimin e luftës ne Ukrainë.


