Presidenti amerikan, Donald Trump: Liderët e NATO-s janë të gjithë miqtë e mi
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se liderët e vendeve të tjera të NATO-s janë të gjithë miqtë e tij duke u përgjigjur kështu ndaj shqetësimeve të vazhdueshme mbi angazhimin e tij ndaj aleancës transatlantike.
Kur u pyet nga një gazetar se çfarë mesazhi do të dëshironte t’u dërgonte liderëve botërorë të mbledhur në Mynih për një forum të profilit të lartë të sigurisë, Trump tha se ”mesazhi i vetëm është se kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me NATO-n”.
”Ne jemi një pjesë shumë e fuqishme e NATO-s dhe njerëzit që janë në krye të vendeve…, janë të gjithë miqtë e mi”, shtoi presidenti amerikan.
Ndryshe nga shumë liderë evropianë, Trump nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Delegacioni amerikan këtë vit udhëhiqet nga Marco Rubio, i cili do të mbajë nesër një fjalim.
Para nisjes për në Mynih, Rubio mbajti një ton qetësues, kur tha se ”Evropa është e rëndësishme për ne”.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të lidhura me Evropën dhe e ardhmja jonë ka qenë gjithmonë e ndërthurur dhe do të vazhdojë të jetë e tillë”, shtoi ai.

