Trump planifikon të ulë tarifat doganore për çelikun e aluminin
Presidenti i SHBA, Donald Trump planifikon të ulë disa nga tarifat që ka vendosur për produktet e importuara të çelikut dhe aluminit, raportoi sot gazeta Financial Times.
Presidenti amerikan goditi importet e çelikut dhe aluminit me tarifa deri në 50 për qind verën e kaluar dhe i ka zgjeruar taksat në një gamë mallrash të prodhuara nga këto metale, duke përfshirë lavatriçet dhe furrat.
Por administrata e tij tani po shqyrton listën e produkteve të prekura nga taksat dhe planifikon të përjashtojë disa artikuj dhe të ndalojë zgjerimin e listave.
Sipas burimeve, zyrtarët në Departamentin e Tregtisë dhe zyra e Përfaqëssuesit të Tregtisë së SHBA besojnë se tarifat po dëmtojnë konsumatorët duke rritur çmimet për disa mallra specifike.
Lëvizja për të zbutur tarifat e çelikut dhe aluminit, të cilat ishin ndër më të hershmet e futura në mandatin e dytë të Donald Trump, vjen ndërsa ekonomistët thonë se amerikanët po paguajnë për taksat, duke minuar pretendimin e presidentit se kompanitë e huaja do të mbanin barrën.
Vende si Mbretëria e Bashkuar, Meksika dhe Kanadaja, si dhe anëtarët e BE-së, mund të përfitojnë nga çdo lehtësim i tarifave të SHBA-së për mallrat e bëra prej çeliku dhe alumini.
